Kancelari gjerman ka një lajm të mirë për kosovarët që duan të punojnë në Gjermani
Kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha të mërkurën se qeveria e tij do ta bëjë më të lehtë për punëtorët e huaj të emigrojnë në Gjermani dhe të integrohen atje. Gjithashtu, ai tha se do të luftonte kundër ekstremizmit të djathtë, të cilin e konsideron kërcënimin më të madh për demokracinë e vendit të tij.
“Ne jemi një shtet emigracioni, nëse huazoj një term nga presidenti ynë, një vend me një të shkuar emigracioni. Por duhet të punojmë për t’u bërë një vend më i mirë për integrimin e të tjerëve”, tha ai në fjalën e parë në Bundestagun gjerman që pas marrjes së detyrës.
Qeveria e re gjermane, e formuar në mënyrë të paprecedentë nga 3 parti, Social Demokratët, Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë, planifikon të lehtësojë edhe procedurat për marrjen e nënshtetësisë gjermane dhe heqjes së kufizimit për pasjen e nënshtetësive të tjera.
Në vitet e fundit, Gjermania është shndërruar në destinacionin e preferuar për emigrantët, që kërkojnë azil ose punë në shtetin me ekonominë më të fuqishme të Bashkimit Europian. Përjashtim nga kjo nuk kanë bërë as shqiptarët. Në vitin 2019, 4000 shqiptarë kanë marrë vizë pune në Gjermani, ndërsa gjatë vitit 2020, për shkak edhe të pandemisë së koronavirusit, kjo shifër ka qenë dukshëm më e ulët, vetëm 600.