Katër ditë pasi Haskuka e përuroi, merr flakë kutia e rrymës në Muzeun e Dëshmorëve

Katër ditë pasi kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka e përuroi, kutia e rrymës në Muzeun e Dëshmorëve në Landovicë ka marrë flakë.

Për rastin në fjalë ka njoftuar sot edhe policia e Kosovës.

Sipas njoftimit të tyre, kutia shpërndarëse e rrymës në Muzeun e Dëshmorëve, në rrethana të panjohura është përfshirë nga zjarri.

Zjarri është lokalizuar nga zjarrfikësit.

“Landovicë, Prizren, 15.06.2021-20:20. Raportohet se në rrethana të panjohura është përfshi nga zjarri kutia shpërndarëse e rrymës në objektin e Muzeut të Dëshmorëve. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa ekipi i zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kreu i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, e ka prerë të shtunën  shiritin e Muzeut të Dëshmorëve në Prizren. Megjithatë, ajo që bie në sy nga ky investim është gabimi i rëndë drejtshkrimor, sepse është shkruar “Muzeu i Dëshmoreve”, që nënkupton se bëhet fjalë vetëm për gjininë femërore.

Përveç kësaj, gabim është bërë edhe në përshkrimin anglisht. Siç shihet në fotografinë e publikuar nga vetë Haskuka, është shkruar “Martys” në vend të “Martyrs”, pra që në gjuhën shqipe përkthehet dëshmorët.

Megjithatë, vetë Haskuka në profilin e tij në Facebook e ka shkruar pa ndonjë gabim këtë togfjalësh, “Muzeu i Dëshmorëve”.

“22 vite pas përfundimit të luftës, Kosova për herë të parë u bë me Muze të Dëshmorëve, ku do të ekspozohen dokumente dhe eksponente të dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ditën e Çlirimit të Prizrenit, sot së pari filluam duke bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë. Pastaj, bashkë drejtoreshën e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz, deputetët e Kuvendit të Kosovës, familjet e dëshmorëve, shoqatat e dala nga lufta dhe drejtorët komunalë e përuruam Muzeun e Dëshmorëve në Landovicë.Vizitorët e këtij muzeu, nga sot, do të mund t’i shohin të grumbulluara në një vend dokumentet që e dëshmojnë gjenocidin e kriminelëve serbë në Kosovë, ku aktualisht janë duke u ekspozuar mbi 215 biografi individuale të dëshmorëve të rënë, hartat rajonale të operacioneve të UÇK-së, si dhe po ashtu filma dokumentarë kushtuar dëshmorëve.Ne edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht, me të gjithë institucionet e vendit, familjet e dëshmorëve dhe shoqatat e dala nga lufta, për ta pasuruar sa më shumë këtë muze me dokumente të tjera.Serbia, gënjeshtrat e saja për Kosovën i përsëritë çdo ditë, ndërkaq Kosova, të vërtetat e saja për Serbinë, nuk po i përsëritë pothuajse fare. Në këtë drejtim, uroj që kjo muze përveçse të shërbejë për dokumentimin e krimeve të serbe, po ashtu le t’i shërbejë gjeneratave të reja për t’u njohur me historinë e lavdishme të UÇK-së dhe popullit shqiptar”, ka shkruar Haskuka./Gazeta Express

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *