Katër inspektorët e Prizrenit dhe kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit lirohen nga akuzat për korrupsion
Kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Bedri Halimi, si dhe katër inspektorë të Komunës së Prizrenit, Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi dhe Ruzhdi Daka, të hënën janë liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala, nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë.
“Ju e dini që e kemi zhvilluar një proces gjyqësor në këtë çështje penale, janë administruar vetëm prova materiale pasi që nuk kemi pas të propozuar nga asnjë palë prova personale. Mbi bazën e të gjitha atyre provave materiale, gjykata i ka analizu ato dhe ka ardh në përfundim, se nuk është provuar se kanë kryer këtë vepër penale. Kryesisht nuk janë formuar elementet, tiparet qenësore të veprës penale me të cilën akuzohen të akuzuarit. Andaj mbi këtë bazë trupi gjykues ka ardhur në përfundim, ka vlerësuar dhe ka pruar aktgjykim lirues”, tha gjykatësi Shala.
Gjykatësi Shala tha se, shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzuan në kontest civil.
Pala e pakënaqur ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh pas marrjes së aktgjykimit me shkrim.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ngritur më 18 nëntor 2019, Bedri Halimi, akuzohet se duke punuar si Kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional “Sharri” në Prevallë, me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me Vendimin e Ministrit të MMPH-së Nr.34/13 të datës 15.11.2013, me të cilin urdhërohet rrënimi i objekteve pa leje brenda Planit Rregullues Urban në Parkun Nacional, në atë mënyrë që edhe pse e ka hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza, atë nuk e ka përmbushur.
Sipas aktakuzës, në fazën e parë ishin rrënuar 180 objekte, në fazën e dytë nga 28 vendime për rrënim, janë zbatuar vetëm 20, duke mbetur edhe 8 vendime të pazbatuara.
Sipas prokurorisë, në fazën e tretë nga 45 vendime për rrënim, 16 ishin revokuar, ndërsa 29 vendime kanë mbetur të pazbatuara, kurse faza e katërt fare nuk ishte implementuar, ashtu që nga data 14.12.2013 e deri tash nuk ka zbatuar as një prej vendimeve edhe pse të njëjtat janë ende në fuqi.
Ndërsa, katër të akuzuarit tjerë, inspektorët Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi dhe Ruzhdi Daka, akuzohen se si inspektorë të ndërtimit në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, kanë qenë përgjegjës për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional, në periudhën kohore nga 22 qershor 2006, e deri më datë 3 maj 2013, kur MMPH-ja me vendimin M.Nr.1498/13, e ka urdhëruar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në zonën e Prevallës.
Sipas PSRK-së, të njëjtit me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare konform Ligjit për Ndërtim nr. 2004/15, nuk e kanë bërë mbikëqyrjen inspektuese të ndërtimeve, nuk kanë urdhëruar pezullimin e ndërtimit dhe nuk i kanë iniciuar procedurat e parapara me ligj, ashtu që gjatë këtyre shtatë viteve e kanë lejuar ndërtimin e disa qindra objekteve pa leje ndërtimi, duke reaguar vetëm në disa raste.
Prokuroria pretendon se i akuzuari Enver Bytyqi, ishte i përfshirë në tri raste të ndërtimeve të palejuara të pronarëve Sezo Beqiri, Fehmi Beqaj dhe Muharrem Brando, i akuzuari Nexhmedin Musliu në dy raste, të pronarëve Irfan Beqiri dhe Blerim Bajraktari, i akuzuari Bashkim Krasniqi në një rast, të pronarit Hazir Merlaku dhe i pandehuri Ruzhdi Daka, në një rast të pronarit Kadri Bajrami.
Me këto veprime, PSRK-ja pretendon se këtë mënyrë ata kanë shkaktuar degradimin e mjedisit në masë të madhe, kurse secilit pronarë të objektit të ndërtuar pa leje, iu kanë mundësuar përfitimin e dobisë pasurore në vlerë mesatare prej 10.500 euro.