“Kemi pamje ku shihen duke marr ryshfet”, Kryeshefi i IPK’së flet për arrestimet e policëve kufitarë
Kryeshefi Ekzekutiv në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hodaj ka arsyetuar arrestimet për njëherë të një numri të madh të zyrtarëve policor në dy aksione të ndara në pikat kufitare.
Ai tha se arrestimet e zyrtarëve policor kryesisht kanë të bëjnë me dyshimin për ryshfet e korrupsion.
Sipas tij, IPK-ja i posedon pamjet e zyrtarëve duke marr ryshfet. Hodaj tha se kanë pranuar mbi 500 ankesa për shkelje të ndryshme ku mbi 150 prej tyre janë dërguar për hetim penal. Ai ka sqaruar se deri më tani kanë propozuar që të suspendohen 108 zyrtar policor.
“Inspektorati Policor gjatë këtij viti ka pasur një ritëm të shtuar të angazhimeve në hetimin e zyrtarëve të dyshuar për vepra penale. Si rezultat i këtyre hetimeve dhe një numër të konsiderueshëm të ankesave që i kemi pranu gjatë këtij viti, kemi arrestuar 87 zyrtar policor në raste të ndryshme penale. Kryesisht janë dy raste të mëdha që lidhen me marrjen e ryshfetit apo korrupsionit”.
“Janë mbi 500 ankesa që janë pranuar për shkelje të ndryshme ndaj zyrtarëve policor. Mbi 150 janë dërguar për hetim penal në departamentin e hetimeve dhe një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve janë nën hetime për shkak të këtyre rasteve. Deri më tani kemi rekomanduar suspendimin e 108 punonjësve të policisë që lidhen me vepra të ndryshme penale, me keqpërdorim të detyrës zyrtare, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave apo raste të tjera”.
Tutje Kryeshefi i IPK tha se janë duke punuar në vazhdimësi, e se do të ketë edhe aksione të tjera.
“Po ne në vazhdimësi punojmë, kemi raste që trajtojmë. Pranojmë informacione edhe prej qytetareve edhe prej rrugëve të ndryshme operative dhe si rezultat i këtyre angazhimeve dhe hetimeve tona sigurisht që mund të ketë edhe raste të tjera që janë në proces dhe do të përfundojnë në kohën e duhur kur të arrijnë ti dëshmojmë ato dyshime të cilat ne jemi duke hetuar”
Pohimeve se po bëhet spektakle me arrestime dhe se po dëmtohet reputacioni i Policisë Hodaj i është përgjigjur me faktin se ky aktivitet ka pasur për qëllim ruajtjen e integritetit të Policisë së Kosovës.
“E di që është transmetuar ndoshta prej shumë avokatëve apo prej analistëve që po konsiderohet si spektakël këto arrestime. Kur është numri i madh i zyrtarëve policor sigurisht se duhet të ketë operacione më të mëdha dhe operacionet e mëdha tërheqin vëmendjen edhe të mediave edhe të publikut. Nuk është bërë asnjë veprim për spektakël, mund të ketë edhe ankesa për shkak se disa prej tyre lirohen në procedurë të rregullt. Ne jemi të bindur dhe e themi me plotë përgjegjësi që për të gjithë këta zyrtar të arrestuar kemi prova të mjaftueshme, kemi prova me pamje me video ku këta shihen duke marr ryshfet shumica prej tyre”.
“Janë raste të dëshmuara nuk kemi të bëjmë me një aksion thjeshtë për ta dëmtuar reputacionin e Policisë, mirëpo krejt aktiviteti jonë bëhet me qëllim që me ruajt integritetin e Policisë dhe me forcuar integritetin e Policisë e me pastru Policinë njëherë e mirë prej elementeve që e diskreditojnë apo përfshihen në raste korruptive”.
Si raste më të shpeshta që dyshohen zyrtarët policor, Hodaj tha se është keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe keqtrajtimi, raporton EO.
“Një praj rasteve apo natyrave të shkeljes më të shpeshta është fatkeqësisht keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe keqtrajtimi, janë raste tipike që lidhen me veprimtarinë e policisë. E shohim që në aksionet e fundit që kemi pasur ka një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve që janë përfshirë në korrupsion”./EO