Kërkohet drejtësi për 77 martirët e masakrës në  Korishë

Me një manifestim përkujtimor, janë përkujtuar në 23 vjetorin e vrasjes  77 civilë nga Korisha dhe fshatrat përreth , të cilët ishin përdorur mburojë e gjallë nga serbët karshi sulmeve ajrore të Nato-s.

Edhe në këtë përvjetor,  u kërkua drejtësi për këtë masakër të tmerrshme nga kurthi I armikut gjakatar. Nëna Zyrafetja, po kërkon drejtësi në 23 vjetorin e vdekjes së djalit të saj 10 vjeçar, Agonit, i cili ishte në mesin e 77 viktimave  në ngjarjen ku mbi 500 civilë të pafajshëm ishin përdorur mburojë e gjallë nga serbët karshi sulmeve ajrore të Nato-s.

Ajo e kujton me dhimbje të birin e saj të shtrenjtë, i cili tha ajo,  aq shumë e donte lirinë. Edhe nëna Nazmije, ka dhimbje dhe mall të pashterrshëm për djalin e saj, Shaqirin, I cili gjithashtu ishte në mesin e viktimave të 13 majit të vitit 1999. Lidhur me këtë ngjarje, është organizuar një tubim përkujtimor në Memorialin e Martirëve në Korishë.

Rexhë Ukaj nga KO i manifestimit, tha se për ngjarjen e para 23 viteve në Korishë ende i kemi kujtimet e freskëta nga tmerri i përgjakur pas kurthit që bënë armiqtë ndaj popullatës civile, duke shkaktuar dhjetëra të vrarë e të plagosur, në mesin e të cilëve të moshuar dhe fëmijë.

Ndërkaq, ish komandanti i UÇK-së së ish batalionit të dytë të Kabashit, Lulzim Kabashi, tha se nuk duhet harruar assesi krimet sikurse që ka ndodhur para 23 vitesh në këtë ditë, dhe të iu tregojmë gjeneratave të reja se skenari i njëjtë mund të na përsëritet. Ai gjithashtu bëri thirrje për drejtësi nga institucionet vendore e veçmas ato ndërkombëtare që të zbardhin rastin e kësaj masakre monstruoze dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar.

Ndërkaq, Përfaqësuesi i familjeve të martirëve, Hasan Ahmetaj, tha se Korisha dhe fshatrat përreth çdo pranverë po i kujtojnë bijtë e tyre që u përdoren si mburojë e gjallë nga armiku famëkeq.

Pas fjalimeve janë recituar poezi nga nxënësit e shkollës “ Dëshmorët e Kabashit”, ndërsa janë kënduar edhe dy këngë kushtuar kësaj ngjarje të dhimbshme nga këngëtarët korishas, Elhame dhe Xhafer Ahmetaj, ndërsa krejt në fund janë vendosur kurora dhe buqeta lulesh në varret e martirëve. /Televizioni i Prizrenit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *