Kërkohet paraburgimi i gjashtë të arrestuarve që iu gjetën 32 kg marihuanë në Suharekë
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.R., M.V., E.M., F.M., A.M., dhe E.D., të arrestuar të mërkurën në bastisjen ku u gjetën substanca narkotike. Ata gjenden në ndalim 48 orësh.
“Sipas kërkesës së prokurorisë, nga data e pavërtetuar e deri me datë 16.02.2022, pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, shkurres së kokainës ose bimën e kanabisit, me qëllim të prodhimit të narkotikeve ose substancave psikotropike, në atë mënyrë që në bashkëkryerje me njëri – tjetrin kanë kultivuar bimën narkotike brenda një objekti që ka shërbyer si mulli në fshatin Shirokë – Komuna e Suharekës, dhe atë në katin e 7-të, ashtu që me datë 16.02.2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në objektin e cekur është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet për kultivimin e bimës narkotike si dhe rreth 32 kg, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, si dhe 2059 saksi – vazo, që kishin të mbjellura bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, e po ashtu në vendin e ngjarjes janë zënë në flagrancë të gjithë të pandehurit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Me këto veprime ata vlerësohet se kanë kryer veprën “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”
Po ashtu, të pandehurit pa autorizim kanë poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje, substancën të dyshuar për narkotikë, të llojit marihuanë, të shpallur me ligj si narkotik, të cilat i kanë siguruar nga kultivimi i bimës narkotike e të cilën e kanë ofruar për shitje apo shpërndarje personave të tjerë tani për tani të pa identifikuar.
Në këtë mënyrë kanë kryer edhe vepën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.