Kërkohet përjashtimi i Prokurorisë së Prizrenit, sërish shtyhet gjykimi për shpërthimin ku kishte vdekur polici
Kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit të rastit Metush Biraj dhe të gjithë Prokurorisë Themelore në Prizren, ka bërë që të dështojë seanca gjyqësore e paraparë të mbahet të enjten në rastin ndaj Iran Badallit dhe Arben Gashit që po akuzohen për rastin e shpërthimit në Zhur ku kishte vdekur polici Sami Thaqi.
Pas kërkesës së mbrojtjes, gjyqtarja Ajser Skenderi, e ka ndërprerë seancën e së enjtes dhe po ashtu ka anuluar seancën e datës 27 shtator 2021. Ajo ka thënë se seanca e radhës për këtë rast do të caktohet pasi që të vendoset lidhur me përjashtimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Mbrojtësja e të akuzuarit Iran Badalli, avokatja Ermira Gavazaj, ka kërkuar përjashtimin e Prokurorisë Themelore në Prizren, me arsyetimin e prokuroria nuk kishte ndërmarrë veprimet hetimore që duhej t’i ndërmerrte në rastin e shpërthimit në Zhur, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Mbrojtja konsideron se veprimet e Prokurorit që duhej të ndërmerreshin gjatë hetimeve fare nuk janë marrë, kemi joobjektivitet gjatë zhvillimit të hetimeve, dyshojmë në njëanshmëri dhe shkelje ligjore dhe joprofesionale gjatë gjithë fazës hetimore e cila po shprehet edhe gjatë shqyrtimit kryesor nga ana e prokurorit Metush Biraj”, ka thënë avokatja Gavazaj.
Ajo tha se nga prokurori i rastit fare nuk janë ndërmarr veprimet e domosdoshme ligjore për të nxjerrë ekspertizën e Daktiloskopisë, si provë kryqe në këtë çështje penale.
“Nga shkresat e lëndës thuhet se të akuzuarve Iran Badalli dhe Arben Gashi, i janë marrë mostra të pështymës, mirëpo nga Prokuroria nuk kemi asnjë ekspertizë të ADN-së”, tha Gavazaj.
Sipas saj, prokuroria nuk kishte ndërmarr as veprime për sigurimin e ekspertizës për shpërthimin e eksplozivit edhe pse në shkresat e lëndës thuhet se janë marrë mostra nga krim teknika për dërgim në laborator.
Tutje, ajo tha se në ditën kritike, në kontroll të shtëpisë së të mbrojturit të saj, Iran Badalli, kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë tjerë të NJRSH-së, të cilët janë dëshmitarë okular, e po ashtu në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe fëmijët e tij, por nga prokuroria të njëjtit nuk janë dëgjuar në cilësi të dëshmitarëve.
Ndërsa lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë të prokurorisë me të akuzuarin Valbon Qollaku, avokatja Gavazaj tha se e njëjta është e kundërligjshme dhe nuk është dashur të lidhet pasi që qëllimisht ka qenë e hershme, që të vështirësohej mbledhja e fakteve.
Lidhur me mungesën e të dëmtuarit Mrasori, avokati Blerim Mazreku tha se i njëjti nuk ka mundur të prezantojë për shkaqe shëndetësore.
Ndërsa për të dëmtuarën Qunaj, avokati Mazreku, tha se e njëjta ka kërkuar ai që ta lusë gjykatën që të mos jetë prezentë gjatë shqyrtimit gjyqësor, kjo për faktin se për shkak të humbjes së bashkëshortit në këtë rast gjendja e saj emocionale është e rënduar dhe po ashtu e njëjta përkujdeset për fëmijët e saj, e njëjta ka konfirmuar se do të jetë prezentë vetëm në seancën në të cilën do të dëgjohet si dëshmitare.
Ndryshe sipas dispozitivit I të Aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të akuzuarit Iran Badalli dhe Arben Gashi akuzohen se me anë të eksplozivit kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, që ka rezultuar me vdekjen e një personi, lëndimeve të rënda dhe të lehta trupore të personave të tjerë.
Sipas aktakuzës, dy të pandehurit kah fillimi i muajit janar 2020 në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj te njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të II të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli ne fshatin Zhur Komuna e Prizrenit dhe pas një kontroll të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, me dt 28 01 2020 , rreth orës 20:00 , ne kontakt me këtë mjet i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor Sami Thaçi kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – te dëmtuarit Artur Mrasor, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi kanë ka pësuar lëndime te rënda trupore si dhe fëmija S.B po ashtu ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Me këto veprime sipas Prokurorisë të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 parag 5, 4 dhe 1 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa në dispozitivit II të aktakuzës thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar me përafërsisht si ne pikën I të dispozitivit të aktakuzës , në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT, peshe prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.
Kësodore të akuzuarit në bashkëkryerje kanë konsumuar veprën penale mbajtja në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 parag, 1 e lidhur me nenin 31 të KPRK. /BetimipërDrejtësi