Komuna e Prizrenit pa përfaqësues, dështon gjykimi për keqpërdorime lidhur me ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur

Për shkak të mungesës së përfaqësuesit ligjor të Komunës së Prizrenit, ka dështuar të mbahet seanca e së martës ndaj, Almir Sahitit, Refki Muzbegut, Muhamet Bajramit, Hatixhe Përzhellës dhe Drenusha Behluli-Mehmetit, të akuzuar për keqpërdorime lidhur me ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur.

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani bëri të ditur se Komuna e Prizrenit, përmes zyrës së kryetarit, më 2 nëntor 2021, ka dorëzuar një parashtresë me të cilën e ka informuar gjykatën se për momentin është pa përfaqësues ligjor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë, Komuna e Prizrenit ka kërkuar nga Gjykata në Prizren që të gjitha seancat ku duhet të jetë prezent përfaqësuesi ligjor i tyre të shtyhen për së paku 15 ditë, në mënyrë që të mos dëmtohen interesat e Komunës, pasi akoma nuk është zgjedhur përfaqësuesi në fjalë.

Në këto rrethana, seanca e së martë u shty për 26 janar 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 16 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Almir Sahitit, Refki Muzbegut, Muhamet Bajramit, Hatixhe Përzhellës dhe Drenusha Behluli-Mehmetit për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Almir Saiti akuzohet se gjatë periudhës 2010, e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i caktuar si menaxher-drejtor i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324.623.82 euro.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Saiti edhe pse është vërtetuar se pozicionet nuk janë punuar si duhet ashtu siç kanë qenë të parapara sipas kontratës edhe për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” nga fshati Metvec, Komuna e Prizrenit, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573,154.90 euro, të përshkruar në hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Refki Musbeg akuzohet se gjatë periudhës 22 tetor 2009, e deri më 30 qershor 2011, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.
Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324,623.82 euro, të përshkruara më hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Në aktakuzë thuhet se edhe pse është vërtetuar se punimet nuk ishin kryer si duhet dhe siç kanë qenë të parapara sipas kontratës dhe për faktin se pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës më 1 mars 2019, i njëjti ka lejuar pagesat.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Muhamet Bajrami akuzohet se gjatë periudhës 24 dhjetor 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573,154.90 euro, të përshkruar në hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Kurse, Hatixhe Përzhella akuzohet se periudhës dhjetor 2013, e deri më 27 maj 2014, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Shërbime Publike në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Kosova Erh-Kotori” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në tre raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 67,633.00 euro, të përshkruar në hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Sipas prokurorisë për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe Drenusha Behluli-Mehmeti, ku ajo akuzohet se periudhës 03 nëntor 2017, e deri më 12 dhjetor 2017, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, për mbikëqyrjen e projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “NNT TONI” nga Malisheva, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në dy raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 64,609.23 euro, të përshkruar në hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragraf 1 të KPRK-së.

Ndërsa, i akuzuari Refki Muzbeg është liruar nga akuzat për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se është fajtorë me vendim të formës së prerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *