Këta janë katër hajnat e arrestuar gjatë aksionit të policisë në fshatin Dobrusht, Vlashnje si dhe në lagjen ‘Bajram Curr” të Prizrenit
Katër persona janë arrestuar për grabitjen e armatosur që ndodhi më 12 qershor, në marketin ‘Lanti-B’ në rrugën ‘Besim Shala’ të Prizrenit.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për S. Krasniqi, L.B. D. S. dhe G. P.
Ata u arrestuan pas më shumë se një muaji në arrati, nën dyshimet se kryen grabitjen e armatosur në këtë market, ku vodhën 600 euro duke terrorizuar punëtorët.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se arrestimi i të dyshuarve erdhi pas bastisjeve që u kryen në lagjen ‘Bajram Curri’, Dobrusht dhe Vlashnje, gjatë ditës së premte. Përveç që u kapën të dyshuarit, Hetimet Rajonale kanë gjetur prova që dëshmojnë përfshirjen e tyre në rast.
Gjatë aksionit që u zhvillua në këto lokacione, Sinjali mëson se u gjetën veshmbathjet e të dyshuarve, të cilat i kanë pasur të veshura gjatë kryerjes së grabitjes dhe ndërlidhen me pamjet e siguruara për rastin.
Por si ndodhi rasti?
Më 13 qershor ka publikuar detajet e grabitjes, ngjarja kishte ndodhur më 12 qershor rreth orës 21:30 në marketin ‘Lanti-B’ në rrugën ‘Besim Shala’ në Prizren.
Punëtorët e marketit kanë qenë duke punuar kur janë ballafaquar me të dyshuarit e maskuar, të cilët nën kërcënimin e armës kanë arritur që të marrin rreth 600 euro nga arka. Pasi kryen këtë veprim, hajnat kishin ikur nga vendi i ngjarjes për një drejtim të panjohur.