Kompleksi i Mahallës së Marashit

Në anën e majtë të Lumbardhit, rrëzë Kalasë, në pjesën lindore të Prizrenit, gjendet Kompleksi urban “Marash”.

Në gjuhën arabe “Marash” d.m.th. vend freskimi.

Ky kompleks është i pasur me burimet nëntokësore të ujërave, dhe gurgullimat e ujërave të Lumbardhit.

Në kuadër të Kompleksit përveç bukurive natyrore dhe ajrit të pastër gjendet Lisi (Platanus) i vjetër mbi 450 vjet.

Ky kompleks është i pasur me trashëgimi arkitektonike që datojnë nga periudha të ndryshme.

Në pjesën lindore të saj gjendet Xhamia e Maksut Pashës e cila daton nga shek. XVII, tyrbeja e Haxhize-babës, mulliri i Shotmanit dhe i Sheh-Zades, gjashtë krojet “Topokli” dhe objektet e vjetra të banimi të shprehura në varg që dominojnë në këtë kompleks.

Gjatë viteve ’50 të shek XX janë rrënuar disa objekte në këtë kompleks si teqeja e Sheh-Zades, objekti i çajtores që ishte ndërtuar pranë lisit të vjetër mbi burimin e ujit, etj.

Pas vërshimit të ujërave që e goditën Prizrenin më 18 Nëntor 1979, një pjesë e objekteve të banimit që kanë qenë buzë lumit janë shkatërruar.

Krahas transformimeve të bëra gjatë viteve, me pasuritë e trashëgimisë natyrore dhe kulturore dhe pozitën e volitshme, Kompleksi i Marashit paraqet një lokalitet me rëndësi të madhe për qytetin./Databaza e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *