Komuna vendos tenda në vendet e shitësve ambulantiv në Prizren, këta të fundit thonë se nuk do t’i bllokojnë më trotuaret
Komuna e Prizrenit ka filluar vendosjen e tendave mobile, në pjesë të ndryshme të qytetit. Shitësit ambulantiv, thonë se më nuk do t’i bllokojnë hapësirat publike.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, i shoqëruar nga disa drejtorë të qeverisë së tij, të hënën kanë bërë promovomin e projektit për vendosjen e tendave për shitësit ambulantiv në lagjet ” Bazhdarhane” dhe ” Ortakoll”.
Ai tha se mbi 100 tenda përbehen prej dy llojeve, atyre që mund t’i përdorin shitësit gjatë ditës, ndërsa në mbrëmje ato mund të shfrytëzohen nga qytetarët si ulëse, dhe se ato do të vendosen në shumë vende ku ndodhen këta shitës.
Qëllimi i vendosjes së këtyre tendave, ka të bëjë me rritjen e higjienës së ekspozimit të produkteve dhe lirimit të trotuareve për lëvizjen e qytetarëve, theksoi ai.
Drejtori i Inspektorateve, Edon Muçaj, tha se ky dikaster do të angazhohet maksimalisht që shitësit t’i respektojnë rregullat, dhe ndaj të gjithë atyre që nuk i respektojnë ato do të ketë sanksione.
Shitësi, Gazmend Kraja, e vlerëson të rëndësishme vendosjen e këtyre tendave, dhe tha se me vendosjen e tyre, nuk do të ketë më bllokim të trotuareve për qytetarët.
Kostoja e këtij projekti për blerjen e këtyre tendave është 34 mijë euro.
Ndryshe, gjendja e higjienës sidomos në lagjen ” Bazhdarhane” ku janë vendosur sot këto tenda, lë shumë për të dëshiruar. /Tv Prizreni