Komunat i kërkojnë Ministrisë pezullimin e vendimit për rivlerësimin e pronave, renditin arsyet

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës i ka kërkuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që ta pezullojë vendimin për ri-vlerësimin e pronave dhe që qytetarët të paguajnë vlerën e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023 ashtu siç e kanë paguar në vitin 2022.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, AKK’ja ka renditur edhe arsyet për këtë kërkesë, duke shtuar se s’janë pro rritjes së tatimit në pronë dhe se komunat s’kanë pasë rol në ri-vlerësimin e pronave e as në ngritjen e faturave për tatimin në pronë për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Arsyet që shtyjnë Bordin e AKK-së për ta shtruar kërkesën për pezullimin e vendimit për ri-vlerësimin e pronave dhe përse janë kundër çdo ngritje të vlerës së tatimit në pronë janë të shumta si në vijim: Rrethana të vështira ekonomike për qytetarin e Republikës së Kosovës; Shkalla e inflacionit është dy-shifrore; Shtrenjtime të çmimeve të produkteve bazë dhe produkteve të tjera; Niveli i pagave i pandryshuar për vite të tëra; Ndikim i drejpërdrejtë në rëndimin/varfërimin e shportës për qyetarin; Ri-vlerësimi i pronave nga MFTP ka ndikuar që faturat e tatimit në pronë të kenë një kosto shumë të lartë; Rritja e lartë e faturës për tatim në pronë në rrethana të rënduara ekonomike do e vështirësojë inkasimin e të hyrave nga tatimi në pronë”, thuhet në postim.

Bordi i AKK’së ka kërkuar që të ketë edhe takime dhe konsulta të mirëfillta me komunat në mënyrë që të gjenden mënyrat më të mira për një ri-vlerësim të ri të pronës.

“Bordi i AKK bën me dije që Komunat e Republikës së Kosovës nuk mund të falin tatimin në pronë sepse kjo nuk është kompetencë e komunave, në të kundërtën kërkojmë nga MFTP të krijojë infrastrukturë ligjore ku do u’a mundësojë komunave faljen e tatimit në pronë bazuar në vendime të Kuvendit të Komunës. Për fund, Bordi i AKK-së kërkon që sa më shpejtë të procedohet Projekt-Ligji i ri për tatimin në pronë për miratim në Qeveri të Republikës së Kosovës dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *