Komunat me vendime ndryshe për faljen e tatimit, opozita i akuzon se kishin buxhet por nuk i ndihmuan qytetarët
8 dhjetori ka qenë afati i fundit për të vendosur komunat lidhur me faljen e tatimit në pronë prej 100 eurove.
Disa nga komunat nuk e falën tatimin me këtë shumë.
Prishtina 75 euro e Vitia 50 euro ua fali qytetarëve ndryshe nga disa komuna që ua falën nga 100 euro.
23 komuna nuk e kanë falur borxhin në tatimin në pronë për qytetarët ndërsa 12 prej tyre e kanë falur.
Disa nga komunat që nuk e kanë falur tatimin kanë marr një vendim për lehtësimin e pagesës për qytetarët.
Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave ka folur lidhur me këtë çështje për Front Online.
Ibrahimi ka bërë të ditur se disa nga komunat i kanë zbritur normat tatimore për 5 %.
Ai ka treguar në detaje se çfarë vendimi kanë marrë komunat.
“Shumë prej komunave i kanë zbrit normat tatimore nga 0.15 % e vlerës së pronës në 0.10%, këtë e kanë menduar komunat që do të jetë lehtësi për qytetarët. Duke marr parasysh vitin e kaluar kjo normë tatimore e vlerës 0.15% ka qenë nëse është vlerësuar në 1000 mijë euro një pronë tatimpaguesi ka paguar 150 mijë euro. Pasi i kanë zvogëluar normat tatimore komunat këtë vit në vend se të paguajnë 150 euro do të paguajnë 100 euro, lehtësim për qytetarët”.
Arsyeja se pse komunat nuk e falën tatimi në pronë është bllokimi i projekteve kapitale sipas Ibrahimit.
“Shumica e komunave që nuk e kanë falur tatimin në pronë nuk e kanë futë në rend dite në kuvendet komunale se është vlerësuar prej komunave që nëse bëhet një vendim i tillë nuk do të zbatohen shumë projekte kapitale këtë vit”, tha ai
Janë deklaruar disa nga komunat që nuk e kanë falur tatimin për hapat e tjerë lidhur me lehtësimin e pagesës së tatimit në pronë për qytetarët.
Nga 23 komunat që nuk e kanë falur tatimin në pronë është edhe ajo e Fushë Kosovës.
Nga AAK-ja thanë se kanë dalë më një iniciativë për lehtësimin e pagesës por e njëjta nuk është përkrahur nga partitë e tjera.
Asamblisti i AAK-së, Hasan Ismajli tha për Front Online se ka kërkuar që të ulët norma e vlerës për 5%.
Ismajli thotë se kur ka ndodh propozimi Vetëvendosja ka dalur nga salla dhe s’ka marr përkrahje.
“Unë si AAK në foltore e kam kërkuar që të zbritët norma e vlerës së tatimit në pronë por nuk kam marr përkrahje nga askush që të ulët për 5%. Kur e kam propozu VV-ja ka dalë jashtë sallës, falja e tatimi ka qenë politik të gjitha partitë që kishin me qenë në pushtet kishin me vepru njëjtë”, thotë Ismajli.
Ai deklaroi se falja e tatimit në pronë prej 100 eurove ka qenë çështje politike.
“Nuk është dashur të rritët tatimi hiç në momentin që e kanë parë që e kanë bërë gabim tani kishe po i falim nga 100 euro njerëzit e kanë paguar edhe unë e kam pagu për disa prona që i kam qysh me i kompensu tash”, u shpreh ai
Nga PDK-ja e thonë të kundërtën e AAK-së.
Shefi i grupit të PDK-së në Fushë Kosovë, Mirsad Qyqalla thotë se s’ka ardhur asnjë iniciativë.
Qyqalla tha se Partia Demokratike është pro çdo vendimi të mirë për qytetarët.
“Ende nuk ka asnjë iniciativë e kërkesë as prej mazhorancës. Cila do parti që beson që duhet me ndërmarr diçka për të mirën e qytetarëve ne jemi për”, tha Qyqalla.
Komuna jonë ka pasur mjete për faljen e tatimit, thotë Qyqalla.
“Ka ardh kërkesa nga VV ne si grup kemi apstenu sepse iniciuesi i saj nuk është konsultuar me ne. Ne kemi besuar që komuna e jonë ka pasur mjaftë mjete për me ju dalë në ndihmë qytetarëve”, theksoi ai.
Ndryshe nga Fushë Kosova ka vepruar komuna e Rahovecit.
Kryetari Smajl Latifi thotë se normat tatimore i kanë standardizu.
Ai ka treguar se disa qytetarë gjatë 2024 do të paguajnë tatimin në pronë e disa jo.
“Ne e kemi miratuar një rregullore mbi tatimin në pronë, normat tatimore i kemi standardizu është dekretuar në Kuvend dhe është në fuqi. Këtë vit 7 mijë e 800 do të paguajnë nga asnjë ngarkesë tatimore, ndërsa 8 mijë e 200 do të paguajnë më pakë në këtë vit sesa vitin 2023”, ka thënë Latifi.
Shefi i grupit të AAK-së në Rahovec, Alban Bajrami ka folur për Front Online lidhur me çështjen e tatimit në pronë.
Bajrami tha se Rahoveci ka ulur normën tatimore për 5%.
Falja e 100 eurove nuk ka qenë hap i mire, sipas Bajramit.
“Rahoveci ka shkuar në mënyrë të tjera jo për falje në mënyrë që qytetarët me pas lehtësira të tjera për 2024 e ka ulë normën tatimore për 5 %, por MF-ja e ka rritë vlerën e pronës për ata ka rritje, këtë rritje jemi munduar me zbutë duke e ulë normën tatimore. Për faljen e 100 eurove nuk kemi menduar që është diçka e mirë se ka qenë ndihmë e vogël e rritja e madhe”, deklaroi Bajrami.
Nga LDK-ja në Rahovec janë deklaruar ndryshe nga partia në pushtet.
Shefi i GP-së të Lidhjes Demokratike, Lirigzon Kastrati tregon se kjo parti ka kërkuar që të bëhet falja e tatimit.
Ai thotë se ka bërë edhe një kërkesë tjetër në Kuvend por s’ka pasur përkrahje.
“Ne si LDK i kemi bërë një ftesë kryesuesit që me mbajtë një seancë të jashtëzakonshme për me pa mundësin e faljes së tatimit të paktën ndonjë pjesë, për këtë skam pasur mbështetje. Në seancë të rregullt pas afatit kemi votuar normat e tatimit, kam kërkuar që të jetë 0,1 % nuk kam gjetur mbështetje nga shumica tash normat janë më të larta se sa kanë qenë në vitin e kaluar me arsyetimin e kryetarit komunës se zbritja është më e madhe sa i përket bazës tatimore”.
Se disa qytetarë do të paguajnë tatimin e disa jo për këtë nuk është pajtuar , asamblisti Kastrati.
Ai e ka quajtur padrejtësi këtë ndarje.
“Në zonat e para dhe të dyta për Rahovecin tatimi në oborre rritët prej 20-40% varësisht zonave të caktuara, kjo është në rritje. Rahoveci një pjesë të qytetarëve ka leju që mos me pas tatim që kanë shpi më të vogël se 140 m4. Në seancë e kemi thënë që kjo është padrejtësi por partia në pushtet e ka shumicën dhe po bënë si donë”, theksoi Kastrati.
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri në një prononcim për Front Online ka folur lidhur me vendimin e disa komunave që nuk u falën qytetarëve tatimin në pronë.
Shatri ka kritikuar komunat.
Ai thotë se ato nuk shprehen gatishmëri më ju ndihmu qytetarëve.
“Kjo për faljen e tatimit në pronë nga komunat është situatë e ndërlikuar. Shumica e komunave u ka pëlqyer të kenë më shumë të hyra dhe nuk e kanë falë tatimin në pronë dhe nuk e kanë ulë koeficientin e kanë lënë ashtu siç ka qenë”, tha Shatri.
Sipas Shatrit ani pse vendimi i Ministrisë të Financave ishte jo profesional, komunat është dashur të pranojnë.
“Mirë ka qenë që komunat me marr vendim ashtu siç ka qenë propozimi për vitin 2023 me kthy vendimin e 2022 ose me falë 100 euron ashtu siç e propozoi MF edhe pse s’ka qenë në mënyrë profesionale. Komunat nuk shprehen gatishmëri me ju ndihmu qytetarëve ju ka konvenuar me marr të hyra më shumë nga tatimi në pronë”, deklaroi Shatri.
Se a do të merr ndonjë veprim Ministria e Financave për komunat që nuk e falën tatimin në pronë, Front Online ka dërguar pyetje por nga MF-ja deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë përgjigjur.
Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim me 22 nëntor që komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.