KORITJA S’KA BRINA

Dje familjarë, kolegë, gjenerata të tëra nxënësish, qytetarë të Prizrenit e të Kosovës i dhanë lamtumirën e fundit mësuesit të merituar të popullit Sefer Saramati (dritë pastë shpirti i tij i mirë).

Shkruan: Dani Kolukaj

Jeta e tij ishte një enciklopedi në vete. Mësuesi Sefer nëpër dekadat më të vështira të arsimit shqip në Prizren ishte gjithmonë në ballë të detyrës. Ky njeri i madh i këtij qyteti të lashtë tërë jetën ia kushtoi edukimit të brezave.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 me gjithë moshën e thyer dhe gjendjen jo të mirë shëndetësore i dha krahë ndryshimit të qeverisjes lokale në Prizren me besimin se do të kontribuonte edhe më tej në zhvillimin e arsimit.

Tre vite më vonë ai iku për në botën tjetër! Në ditën varrimit të mësuesit Sefer institucionet lokale paturpësisht heshtën dhe nuk e thanë një fjalë të vetme lamtumire! Drejtoria Komunale e Arsimit aty ku i ndjeri me dekada dha mundin, derdhi djersë e shpërndau dije paturpësisht nuk e nderoi me asgjë lamtumirën e Tij.

Përfaqësuesit komunal jo më shumë se para pak ditëve shkruajtën vargje  in memoriane për z.Kalenderi dhe z. Babuna ( paqin dritë shpirtrat e tyre të mirë) por nuk e panë të udhës të shkruajnë një varg të vetëm lamtumire për mësuesin Sefer!

Të tjerë shkruajtën përkujtimore e thurën lëvdata meritore për doajenin e muzikës Ismet Peja (dritë e paqe për shpirtin e Tij të mirë) por e harruan dhe e kaluan në heshtje ikjen  e doajenit të arsimit prizrenas.

PËR VETE E KANË!

DJE NUK KA QENË RENDI ME U KORITË!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *