Kosova e para në rajon dhe e dyta në Evropë me raste pozitive me Covid-19 në një milion banorë
Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar 2 mijë e 110 raste të reja me COVID-19.
Kjo shifër deri më tani llogaritet të jetë rekorde.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen e Universitetit të Oxfordit, Kosova renditet e para në rajon sa i përket rasteve ditore me koronavirus në një milion banorë.
Pas vendit tonë renditen Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Ndërkaq në Evropë, Kosova me rastet e shënuara në 24 orë radhitet e dyta pas Britanisë së Madhe.
Kurse, sipas të dhënave të kësaj faqeje në botë Kosova është e treta pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.
Sot Qeveria e Kosovës ka caktuar masat shtrënguese anti-COVID me qëllim të mbrojtjes nga përhapja e mëtejme e variantit të koronavirusit.
Si rezultat janë ndaluar dasma, ahengjet dhe janë mbyllur klubet e natës.
Po ashtu orari i punës së sektorit të gastronomisë është kufizuar deri më 22:30.
Gjithashtu është bërë obligative bartja e maskës në transport publik.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.