KQZ pranon mbi 5 mijë e 600 pako me fletëvotime nga jashtë
Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë kanë thënë të shtunën se janë bërë të gjitha përgatitjet për ditën e zgjedhjeve lokale, të cilat mbahen më 17 tetor.
Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë në një konferencë për media se kanë pranuar, 5649 pako të supozuara me fletëvotime nga jashtë Kosovës.
Periudha e votimit jashtë Kosovës ka qenë e hapur në periudhën 15 shtator- 15 tetor.
Ai po ashtu ka thënë se në orët e mëngjesit të 16 tetorit, nëpër komunat e Kosovës kanë nisur të gjitha materialet e nevojshme për ditën e zgjedhjeve.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
“Vota juaj ka rëndësi të jashtëzakonshme, sepse përmes votës, ju do të zgjidhni përfaqësuesit tuaj që do të qeverisin me komunën tuaj për katër vjetët e ardhshëm”, ka thënë ai.
Qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komuna.
Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.
Në këto zgjedhje, qytetarët do të mund të votojnë për kryetarin e komunës dhe një asamblist.
Rrjeti i organizatave që merret me monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) ka thënë të shtunën se respektimi i masave për luftim të pandemisë së koronavirusit pothuajse është braktisur gjatë fushatës së zhvilluar për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Sipas këtij rrjeti, në mosrespektimin e masave kundër pandemisë, kanë pasur ndikim kontrollet dhe inspektimet e pamjaftueshme në institucionet përkatëse.