Kroi në sheshin e Republikës II, merr statusin e monumentit në mbrojtje shtetërore

Komuna e Rahovecit pasuron regjistrin e  aseteve  të mbrojtura, kroi në sheshin e Republikës II, merr statusin  e monumentit në mbrojtje shtetërore

Hapësira publike e Rahovecit gjatë shek. XVIII dhe XIX njihet me numër të konsiderueshëm të krojeve publike. Krojet e ruajtura deri në ditët e sotme paraqesin dëshmi të rëndësishme për historinë e zhvillimit urban të qytetit, dhe si të tilla kanë rëndësi të madhe historike.

Kroi i gurit, ndryshe i quajtur edhe si Kroi në sheshin e Republikës II, gjendet në Sheshin e Republikës II, në qendrën e vjetër të Rahovecit. Është ndërtuar në Shek. XVIII.

Kroi prej kohës kur është ndërtuar e deri më sot shërben si krua publik i lagjes, për furnizim të banorëve dhe kalimtarëve me ujë të pijshëm.  Uji në krua vjen me rënie të lirë nga burimi Zhdrella.

Kroi i takon tipit të krojeve të mbështetura të cilët janë ndërtuar kryesisht në kënd të rrugëve. Ka një trajtim të thjeshtë dekorativ.

Përbëhet prej dy pjesëve, ballores dhe vaskës. Ballorja ka planimetri drejtkëndore, dhe është punuar nga gurët e gdhendur në formë drejtkëndëshi të lidhur me llaç gëlqeror.  Pjesa e sipërme e ballores përfundon në formë të timpanorit dhe mbulohet me një kulm dy ujor të formësuar nga rrasa gurësh. Në mes të timpanorit është gdhendur një gur në formë katrore, ku paraqitet një shkrim osman. Në dy  anët e kroit gjenden dy nisha  për vendosjen e sapunit dhe rekuizitave tjera.

Vaska ka planimetri jo të rregullt në formë katërkëndëshi, e punuar nga guri gëlqeror monolit.

Mbishkrimi i cili gjenet në anën ballore të murit, është i shkruar në gur gëlqeror me stilin Kufi.

Prej kohës kur është ndërtuar e deri më tani, kroi ka mbetur në vendin fillestar me disa adaptime të vogla ,pjesa e sipërme është rrënuar, dhe planifikohet rindërtimi në bazë të analogjisë me krojet tjera publike.

Ky krua me formën, përmasat, teknikën e ndërtimit dhe trajtimin artistik paraqet një shembull të veçantë të krojeve publike të ndërtuara gjatë shek. XVIII-XIX në Rahovec.

Kroi ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë si krua e lagjes në shfrytëzim të komunitetit. Si i tillë paraqet dëshminë për mënyrën e jetesës dhe rëndësinë e ujit dhe të higjienës për shoqërinë. Nga muaji tetor i këtij viti edhe ky krua i është shtuar listës së monumenteve në mbrojtje shtetërore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *