Kurti vizitë në Prizren, pa nga afër trashegiminë kulturore të qytetit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dy deputetët Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj dhe asamblistja e VV-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, gjatë ditës së djeshme ka vizituar qytetin e Prizrenit.

Gjatë qëndrimit atje Kurti vizitoi institucione të ndryshme në këtë qytet me plot trashëgimi historike e kulturore.

Vizitën e tij, kryeministri Kurti e filloi në Këshillin e Bashkësisë Islame, për t’i uruar për festën e Bajramit. Aty u prit nga udhëheqësit e saj të cilët e falënderuan kryeministrin për vizitën, njofton zyra e kryeministrit.

“Fillimisht u ndal për vizitë te hamami shumëshekullor i njohur si “Hamami i Gazi Mehmed Pashës” i cili është një monument në të cilin janë të kombinuar traditat orientale me ato lokale, e që është shndërruar në një nga simbolet shpirtërore të qytetit.

Pastaj pa nga afër finalizimin e punës tek Lokaliteti Arkeologjik në Sheshin e Lidhjes në Prizren, me rëndësi të madhe historike, shkencore, kulturore dhe edukative, dhe është dëshmia e radhës e lashtësisë mijëravjeçare së qytetit. Qeveria e Kosovës është duke mbështetur projektet e restaurimit të lokalitetit që sa më shpejt t’i prezantohet edhe publikut, si dhe të promovojë vlerat kulturore përmes zhvillimit të turizmit kulturor”, thuhet në njoftim.

Kurti ka vazhduar pastaj te Katedralja “Zonja Ndihmëtare” në Prizren, e cila përveç vlerës së rëndësishme historike, ka vlerë të lartë estetike, shoqërore, kulturore dhe edukative.

“Kjo Katedrale është në mesin e shumë aseteve të trashëgimisë kulturore të restauruara gjatë qeverisjes se deritanishme.

Vizitën e tij në Prizren, kryeministri Kurti e përmbylli në Kinemanë Lumbardhi, për të ndjekur koncertin “Harmonia e Kulturave” nën interpretimin e solistes Rejhane Kodrazi, pianistes Eda Vllaço dhe vilolinistit, Avni Thaqi”, njofton ZKM.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *