Kuvendi i Prizrenit nuk e voton propozimin e Komunës për kredi në berzh për efiçiencë të energjisë

Të enjten është mbajtur mbledhja e radhës së Kuvendit të Prizrenit, në të cilen janë diskutuar shumë pika të rendit të ditës, ndërsa nuk ka kaluar pika që kishte të bënte me aplikimin për kredi nga komuna e Prizrenit në shumë prej 5 milionë eurove në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për efiçiencë të energjisë.

Në seancën e dytë të rregullt për këtë vit, Kuvendi i Prizrenit ka shqyrtuar dhe miratuar një varg projekt propozimesh, por jo edhe propozim vendimin për marrjen e kredisë afatgjate për efiçiencë të energjisë në shumë prej 5 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ( BERZH).

Ky propozim vendim nuk është votuar nga opozita, ndërsa në sallë gjatë votimit të kësaj pike ishin të pranishëm vetëm tre kuvendarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë seancë, është raportuar rreth punës së Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit, për periudhën: qershor 2020 – janar 2021.

Gjithashtu ka patur informatë rreth raportit të punës të Kompleksit për Kulturë dhe Zhvillim “Evropa” për periudhën janar – dhjetor 2020. Informatë rreth raportit mbi subvencionimin e bizneseve dhe OJQ-ve të komunës së Prizrenit, veprimtaria e të cilave ka qenë e ndaluar apo kanë pasur rënie të aktivitetit ekonomik si pasojë e Pandemisë COVID-19, si dhe informatë mbi ndarjen e bursave për nxënësit dhe studentët nga Komuna e Prizrenit për vitin 2020.

Në këtë seancë është miratuar propozim-vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për lirimin nga pagesa e qirasë dhe taksave për bizneset në komunën e Prizrenit për periudhën gjashtë mujore mars-gusht 2020, për shkak të situatës së pandemisë COVID/19, ndërkaq, është miratuar edhe propozim-vendimi, për dhënien e titullit “Nderi i qytetit” të Prizrenit – Post mortum, për veprimtarin e çështjes kombëtare, Shaban Bobaj, i cili ndërroi jetë para pak kohësh./Televizioni i Prizrenit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *