Latifi i quan të ngutshme masat e reja, thotë se qeveria nuk është koordinuar me komunat
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i ka konsideruar si “të ngutshme” masat e reja të ndërmarra nga qeveria për parandalimin e transmetimit të koronavirusit.
Latifi, me anë të ‘Facebook’-ut, ka thënë se qeveria nuk është koordinuar me kryetar komunash për masat e reja, derisa hallin e ka tek fermerët.
“Vendimi i Qeverisë për kufizimet shtesë është i ngutshëm dhe jo i koordinuar me komunat. Produktet e fermerëve tanë janë të gatshme për treg. Gjatë ditës kam marr shqetësimet e shumë prej tyre që tani në këtë kohë kanë produkte të gatshme për treg”, ka deklaruar ai.
I pari i Rahovecit, tutje, ka thënë që masat të mos merren në nivel qendror, por që të përshtaten në komuna.
Postimi i plotë:
Vendimi i Qeverisë për kufizimet shtesë është i ngutshëm dhe jo i koordinuar me komunat.
Produktet e fermerëve tanë janë të gatshme për treg. Gjatë ditës kam marr shqetësimet e shumë prej tyre që tani në këtë kohë kanë produkte të gatshme për treg.
Investimet në këtë sektor për të arritur deri te produktet finale janë të mëdha. Në mungesë të tregut, humbjet do të jenë të pashmangshme.
Situatë të njëjtë kemi pasur edhe vitin e kaluar, ku fermerët tanë janë dëmtuar dhe deri më tani nuk janë dëmshpërblyer, sikundër që nuk janë përfshirë në pakot e rimëkëmbjes ekonomike.
Kërkojmë që masat kundër pandemisë të jenë në përputhje me specifikat e komunave, konkretisht Rahoveci si trevë bujqësore të trajtohet me kujdes.