LDK: Ne po bëhemi gati që me mbështetjen e qytetarëve t’a marrim drejtimin e komunës
Si rezultat i dështimit total në qeverisje, Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, i nervozuar me vështirësitë dhe pengesat që i janë vënë brenda partisë për ta fituar të drejtën e rikandidimit, ka kapur shkopin e po i fishkëllon gjithkujt që po i bie në mend.
Pas sulmit që i bëri shoqërisë civile, tash shigjetat i ka drejtuar mbi grupet e kuvendarëve opozitarë.
Reagimet e tij histerike më as nuk mund ti merr kush seriozisht, prandaj ne, LDK-ja me kandidatin për kryetar, Anton Quni, të qetë po e shikojmë krijimin e situatës kaotike në pushtetin lokal dhe në partinë që është në pushtet, ndërkaq me akuzat e paqena e të pabaza, as që kemi kohë të merremi.
Kandidati ynë Anton Quni, me një ekip të gjerë profesionistësh, burra e gra, djem e vajza të reja entuziastë e kreativ, do të jetë çdo ditë në teren për të takuar qytetarët e komunës së Prizrenit, për t’i njoftuar me program-platformën tonë, si dhe për të bashkëbiseduar e inkorporuar kërkesat e nevojat e tyre në këtë platformë, e cila do të jetë më e mira në zgjedhjet lokale të kësaj vjeshte.
Ne po bëhemi gati që me mbështetjen e qytetarëve t’ua marrim drejtimin e komunës, sepse Prizreni dhe prizrenasit mezi po presin me i dhënë fund këtij cirku katërvjeçar.
Prizreni nuk e ka merituar një qeverisje të tillë dembele, jokreative e të paaftë që nuk punon asgjë dhe që për dështimet e veta shikon e tenton ta gjej fajtorin diku tjeter.
Sipas, Haskukes, gjithkush dhe gjithçka ishte dhe është kundër tij, por asesi ai dhe bashkëpunëtorët e tij të korruptuar e hajna që përveç vjedhjes, gjë tjetër nuk kanë sjellë në dritë.
Ky pushtet do të ikë i turpëruar e do të mbahet në mend për qeverisjen e dështuar e të korruptuar dhe më dembelën që nga paslufta.
Prizren,
16.07.2021