Subvencionimi i masave të efiçiencës së energjisë – FKEE shpjegon procedurat për aplikimet e suksesshme

Mbi dy mijë familje kanë aplikuar për subvencionimin e masave të Efiçiencës së Energjisë (EE) në shtëpitë e tyre, në kuadër të projektit “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”.

Fondi i Kosovës pёr Efiçiencё tё Energjisë (FKEE) është në fazën e verifikimit të aplikimeve, derisa disa qytetarë veçse kanë pranuar përgjigje nëse u është pranuar aplikimi.

Zyrtarja për komunikim me publikun në FKEE, Fillojetë Konjuhi, ka treguar për Ekonomia Online procedurat që duhen ndjekur nga qytetarët që kanë marrë aprovimin e Fondit për subvencionimin e shtëpive të tyre.

Konjuhi ka thënë se të gjithë qytetarët që kanë pranuar përgjigje pozitive, do ta pranojnë një letër të para-aprovimit në adresën e emailit me të cilën janë regjistruar në platformën e-Kosova. Prandaj, është e rëndësishme që ata t’i kontrollojnë këto adresa, sepse kanë afat prej shtatë ditësh për ta nënshkruar letrën.

Ndërsa, siç tha ajo, rimbursimet do të bëhen pas kryerjes dhe verifikimit të punimeve.

“I kemi pranuar mbi 2 mijë aplikime në thirrjen publike të cilën e kemi pasur të hapur deri me 20 gusht. Tani jemi në fazën e verifikimit të këtyre aplikimeve. Qytetarët tashmë janë duke marrë përgjigje, qoftë negative, qoftë pozitive”.

Ajo shtoi se letra e aprovimit paraprak duhet të nënshkruhet dhe të kthehet në FKEE, e se pas kësaj, përfituesit mund t’i fillojnë punimet, të cilat duhet të kryhen brenda gjashtë muajsh.

Pas përfundimit të punimeve, Fondi do ta bëj edhe verifikimin e tyre dhe nëse ato janë kryer sipas aplikimit fillestar, do të fillojë procedura e disbursimit.

“Në rastet kur përgjigja është pozitive, qytetarët marrin letrën e para-aprovimit në të cilën përfshihen të gjitha udhëzimet se si të vazhdohet tutje dhe udhëzohen edhe për fillimin e punimeve”.

“Kur t’i kthejnë letrat e para-aprovimit, janë të hapur që të fillojnë punimet dhe i kanë gjashtë muaj afat që t’i kryejnë këto punime. Në momentin që kryejnë punimet, lajmërojnë Fondin dhe dalim për verifikim të punimeve për të parë se a janë kryer, ashtu siç ka qenë aplikimi fillestar, siç ka qenë para-aprovimi i dhënë dhe pastaj fillon edhe procedura e disbursimit”, tha jo.

Konjuhi theksoi se në këtë fazë është e rëndësishme që të gjithë qytetarët t’i kontrollojnë adresat e emailit.

“Në këtë fazë është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët të kontrollojnë email-adresat e tyre me të cilat janë të regjistruar në platformën e-Kosova, sepse ato janë pikat tona të kontaktit. Ne dërgojmë përgjigjet rreth aplikimeve të tyre në këto email-adresa dhe është shumë e rëndësishme që qytetarët të cilët kanë aplikuar me raport të auditorit t’i kontrollojnë në mënyrë që të mos humbasin afatet kohore të cilat janë në vazhdim për përfundimin e procesit”, tha ajo për EO.

Ajo shtoi se qytetarët nga pranimi i letrës, kanë afat shtatë ditë që ta kthejnë të nënshkruar atë në FKEE.

“Qytetarët të cilëve ju është pranuar aplikimi marrin një letër të para-aprovimit, këta kanë shtatë ditë kohë që këtë letër ta para aprovimit ta kthejnë në fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë të nënshkruar nga ana e tyre. Pastaj brenda tri ditëve ju shkon konfirmimi që mund të fillojnë punimet për masat të cilat kanë aplikuar. Të gjithë qytetarët që pranojnë letra të para-aprovimit, pranojnë edhe disa dokumente me udhëzim se di duhet të veprojnë. Por është e rëndësishme që qytetarët ta nënshkruajnë vetëm letrën e para aprovimit dhe ta kthejnë tek ne, dokumentet e tjera ju duhen për kryerjen e punimeve”.

Për këtë projekt i cili mbështetet nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), janë ndarë gjithsej 10 milionë euro.

Subvencionimi do të përfshijë koston e izolimit të jashtëm të shtëpisë, ndërrimin e dritareve dhe të derës së hyrjes, si dhe izolimin e kulmit.

FKEE do të ofrojë një subvencion prej 45% të kostos së investimit, e kufizuar në shumën prej 5 500 €.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *