Lugishta e Hasit përkujtoi 14 dëshmorët dhe 40 martirët që ia fali lirisë së Kosovës
Në Lugishtë të Hasit, të martën është mbajtur manifestim përkujtimor në nderim të 14 dëshmorëve dhe 40 martirëve të këtij lokalitetii.
Familjarë të dëshmorëve dhe martirëve në Lugishtë, mes lotësh po përkujtojnë më të dashurit e tyre të cilët u vranë e masakruan nga pushtuesi i egër para 23 vitesh, kur këtij lokaliteti i është vënë flaka, pasi ishte shndërruar në vend të besës, bukës dhe pushkës së UÇK-së.
Se çfarë përjetoi ky fshat me 12 prill të vitit 1999 e tregoi para të pranishmëve në një tubim përkujtimor, aktivistii i këtij lokaliteti, Kemajl Gegollaj.
Kreu i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, e vlerësoi të jashtëzakonshme sakrificën e lugishtasve në shërbim të çlirimit të vendit, për të cilin qëllim edhe u flijuan e martirizuan dhjetëra dëshmorë e martirë. Përfaqësuesi i fshatit, Bekim Nerjovaj, edhe në përvjetorin e 23 –të rënies heroike të dëshmorëve dhe vrasjes së martirëve, tha se, ky lokalitet me dhimbje por edhe me përplot krenari, po i kujton bijtë e saj të shtrenjtë, gjaku i të cilëve mbolli lirinë e Kosovës.
Në emër të organizatave të luftës, kanë folur edhe Faton Klinaku dhe Xhevdet Thaçi, të cilët porositen gjeneratat e reja që të mësojnë më shumë rreth historisë së lavdishme që solli lirinë e shumëpritur.
Pas ceremonisë, janë bërë homazhe dhe janë vendosur lule në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve të Lugishtës nga pjesëmarrësit e këtij tubimi përkujtimor./Tv Prizreni