Mbi 600 gjoba shqiptoi Inspektorati i Punës për gjashtë muaj, shkelësi më i madh sektori i ndërtimtarisë
Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, tha se gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti ka shqiptuar mbi 600 gjoba.
Sipas tij, pjesa më e madhe e gjobave është shqiptuar për sektorin e ndërtimtarisë, që sipas tij, është sektori që bënë më së shumti shkelje të ligjit për siguri dhe shëndet publik.
Nikçi tha se shqiptimi i gjobave është rritur gjatë këtij viti, por sipas tij, gjobat nuk kanë qëllim ndëshkimin e subjekteve, por vetëdijesimin e tyre në raport me respektimin e drejtave të punëtoreve.
“Inspektorati i Punës për shkeljen e dispozitave ligjore për periudhën janar-gusht të vitit 2023 janë shqiptuar 619 gjoba. Nëse e bëjmë krahasimin për periudhën janar-dhjetor të vitit të kaluar ku kemi pasur vetëm 281 gjoba të shqiptuara kjo konsiderohet një rritje e konsiderueshme e numrit të gjobave”.
“Dua të i’u rikujtoj se gjobat nuk kanë qëllim ndëshkimi për subjektet, por gjobat kanë për qëllim vetëdijesimin e subjekteve në raport me respektimin e drejtave të punëtoreve”, tha ai.
Kryeinspektori tha se gjobat e shqiptuara janë më së shumti për sektorin e ndërtimtarisë dhe se sipas tij, ky sektor bënë shkeljen e dispozitave të ligjit për siguri dhe shëndet publik.
“Gjoba që janë shqiptuar për periudhën janar-gusht të këtij viti më së shumti janë shqiptuar në sektorin e ndërtimtarisë dhe konstatoj se ky sektor është ai sektor i cili bënë shkeljen e dispozitave të ligjit, përkatësisht të ligjit për siguri dhe shëndet publikë. Skelet jashtë standardeve, hapësirat e ashensorëve dhe shkallëve të pa rrethuara, gjithashtu pajiset mbrojtëse të punëtoreve të cilat kanë munguar”, tha ai.
Nikçi tha se IP-ja në konkursin e fundit ka arritur që të rekrutojë 18 inspektorë të punës jashtë shërbimit civil dhe 19 inspektorë të punës brenda shërbimit civil, ku sipas tij, shuma totale e inspektorëve të punës arrijnë në 70, raporton EO.
“Aktualisht ne i kemi do të thotë në rekrutimin e fundit që e kemi bërë edhe jashtë shërbimit civil, por edhe brenda shërbimit civil kemi arritur në konkursin e fundit të rekrutojmë 18 inspektor të punës jashtë shërbimit civil, 19 inspektorë të punës brenda shërbimit civil”.
“Me këtë numër të inspektorëve ne arrijmë numrin total të inspektorëve afër 70 inspektorë të punës aktualisht aktiv në shtatë regjionet ku në operojmë në Kosovë. Me këtë rritje të numrit të inspektorëve sigurisht se do të rritet edhe prezenca e inspektorëve në terren të cilët do të bëjnë mbikëqyrjen e të drejtave të punëtorëve në vendet e punës, por rrjedhimisht do të rritet numri i inspektimeve dhe gjithashtu edhe numri i gjobave të cilat për qëllim kanë vetëdijesimin e punëdhënësit”, tha ai