Më pak vrasje, vjedhje e aksidente në vitin 2024 sipas raportit të Policisë
Policia e Kosovës ka publikuar raportin vjetor për vitin 2024. Aty Policia ka ofruar të gjitha të dhënat përfshirë sigurinë e përgjithshme, statistikat e vrasjeve e lëndimeve, aksidenteve, aksioneve policore dhe veprat e tjera.
Në komunikatën e gjatë për media, Policia ka bërë të ditur se gjendja në veri ka qenë e qetë, përveç sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit.
“Siguria e përgjithshme në Kosovë edhe gjatë kësaj periudhe kohore të këtij viti ka qenë e qetë, në përjashtim në veri të vendit, ku situata ka qenë e brishtë dhe e cenuar nga disa sulme kriminale e terroriste, duke veçuar sulmin terrorist ndaj Stacionit Policor në Zveqan, sulmin terrorist në objektin e Komunës së Zveqanit, sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e Iber Lepencit në Zubin Potok, si dhe konfiskimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, municionit e pajisjeve të ndryshme ushtarake”, thuhet në raportin e Policisë për vitin 2024.
“Rastet dhe Sulmet e tilla kriminale e terroriste në veri të vendit kishin për qëllim cenimin e rendit dhe sigurinë publike si dhe pengimin e zbatimin të ligjit në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët, mirëpo Policia e Kosovës me vendosmërinë e sajë ka arritur të menaxhojë situatën në mënyrën më profesionale të mundshme”, thuhet më tutje.
Për statistikat e përgjithshme të veprave penale në vitin 2024, vërehet një rënie prej 2% krahasuar me vitin 2023. Sipas të dhënave nga Policia, në vitin 2023 kishte 27 mijë e 560 raste, kurse në këtë vit kanë qenë 26 mijë e 775 raste.
Sipas po këtyre të dhënave të Policisë, numri i vrasjeve ka rënie krahasuar me vitin 2023. Në vitin e kaluar kanë qenë 29 vrasje, kurse në këtë vit, 17. Pra një rënie për 41% e vrasjeve.
Policia ka bërë të ditur se ka pasur rënie edhe të rasteve të lëndimit të rëndë dhe të lehtë trupor.
Në vitin 2023 kanë qenë 3 mijë e 844 vrasje kurse në vitin 2024 janë 3 mijë e 420 vjedhje.
Ajo që është rritur krahasuar me vitin 2023 janë rastet e dhunës në familje. Sipas Policisë së Kosovës, në vitin e kaluar kanë qenë 2 mijë e 251 raste, kurse në vitin 2024 kanë qenë 2 mijë e 387 raste të dhunës në familje.
“Statistikat Krahasuese për periudhën e 2023/2024 tregojnë rënie të rasteve dhe veprave penale në përgjithësi duke përfshi edhe VP si: Lëndim i rëndë trupor, lëndim i lehtë trupor, vjedhje, vjedhje e rëndë dhe grabitje”, thuhet në këtë raport.
Policia e Kosovës në vitin 2024 ka arrestuar 6 mijë e 980 persona, kurse në vitin 2023 kishte arrestuar 6 mijë e 602 raste. Në këtë vit, ka pasur më shumë armë të konfiskuara, me numrin që është 1 mijë e 586.
“Policia e Kosovës ka ndërmarrë një mori aktivitetesh policore, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të krimit, shkatërrimit të grupeve kriminale, ofrimit të sigurisë së qëndrueshme, si dhe kontrollin e mbikëqyrjen e kufirit, ku ka arritur rezultate të theksuara në luftimin ndaj fenomenit të Fajdeve, Narkotikëve, , Kontrabandës me Migrant si dhe Kontrabandës së Mallrave etj”, thuhet në raport.
Në vitin 2024, Policia e Kosovës ka konfiskruar 27.8kg heroinë, 14kg kokainë, 1278kg marihuanë dhe mbi 3.8kg ekstazi.
Policia ka njoftuar edhe për rastet e aksidenteve.
“Siguria në trafikun rrugor gjithashtu ka qenë njëri ndër prioritetet për Policinë e Kosovës, e cila ka hartuar dhe zbatuar shumë plane operative, ka arritur të sigurojë pajisje moderne për trafik, ka realizuar fushata të ndryshme sensibilizuese me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve”, thuhet në raportin e Policisë.
Në vitin 2024 ka pasur rënie të aksidenteve me fatalitet. Në vitin 2023 kanë qenë 95 raste me aksidente fatale, kurse në këtë vit 88.
Në vitin 2023 kanë humbur jetën 105 persona në aksidente, kurse këtë vit 96. Në total, në vitin 2024 kanë qenë 21 mijë e 838 aksidente.
Kurse, gjobat e Policisë janë shtuar. Nga 630 mijë në vitin 2023, në 711 mijë këtë vit.
“Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, të vazhdoj primatin si një ndër institucionet më të besuara dhe transparente në vend, gjithmonë duke respektuar aktet ligjore dhe normative, si dhe duke garantuar të drejtat themelore të njeriut”, thuhet në raportin vjetor të Policisë.