Mësohet se kur do të numërohen votat e diasporës

Të martën pasdite pritet të fillojë numërimi i votave të ardhura me postë në adresë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kështu tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili theksoi se numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime që do të numërohen është 2 mijë e 379.

Në bazë të listës së publikuar nga KQZ, numri më i madh i fletëvotimeve nga jashtë Kosovës i takojnë komunës së Junikut, 670 të tilla.

“Gjatë ditës së martë, 16 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë me numërimin e fletëvotimeve të cilat janë dërguar nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit, 29 tetor – 12 nëntor. Tashmë shërbimi votues i KQZ-së ka bërë vlerësimin e 1,571 pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura përmes postës. Nga procesi i vlerësimit, del se nga këto pako numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime është 2,658, prej të cilave janë aprovuar 2.379, ndërsa pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore janë refuzuar 279 pako. Këto fletëvotime u takojnë 19 komunave të ndryshme”, tha Elezi për EO.

Ndërkaq, KQZ-ja akoma nuk ka bërë të ditur se sa është numri i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta në 21 komunat ku u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë duke u zhvilluar të gjitha procedurat e parapara që gjithashtu sa më shpejt që është e mundur të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta”, tha Elezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *