Mijëra kandidatë për zgjedhjet lokale do t’i nënshtrohen verifikimit

Ndonëse zgjedhjet lokale nuk janë shpallur akoma, partitë politike veçse kanë filluar të prezantojnë kandidatët e tyre për kryetar të Komunave apo për Kuvende Komunale.

Mbështetur nga proceset e kaluara zgjedhore, edhe në këto zgjedhje pritet që me mijëra kandidatë të garojnë për pozitën e kryetarit në 38 komuna apo për ndonjë ulëse në ndonjërën nga 38 Kuvendet Komunale.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se sa i përket certifikimit të kandidatëve që duan të garojnë në këto zgjedhje do të veprojnë njësoj sikurse bën për zgjedhjet e 14 shkurtit, duke kërkuar verifikimin e kandidatëve në një numër institucionesh.

“Me qëllim të verifikimit të kandidatëve që duan të certifikohen në garën për kryetar komune apo për kuvende komunale, KQZ-ja do t’i drejtohet disa institucioneve të ndryshme, në këtë rast Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Jashtme, Ministria e Mbrojtes, Agjencia së Kosovës për Inteligjencë si  dhe Doganave të Kosovës. Ne nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme janë të listuar të gjitha rastet kur një person nuk është i aftë të certifikohet si kandidat, prandaj do të kërkohet për secilin prej  kandidateve, nga secili prej këtyre institucioneve, të bëjnë verifikimin sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë. Pra, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në kohën pra kur të vijë periudha e certifikimit të kandidatëve që duan të kandidojnë që duan të garojnë në zgjedhjet lokale qoftë për kryetar komunë qoftë apo për kuvende komunale do të veprojë njëjtë sikurse për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat janë mbajtur më 14 shkurt”, tha Elezi për KosovaPress.

Ndërkaq, i pyetur se si do të veprojë KQZ-ja lidhur me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë kriteret ligjore, pra nëse janë të shpallur fajtor për vepër penale me vendim të formës së prerë të gjykatës në tri vitet e fundit, Elezi sqaroi procedurën që do të ndjekë KQZ-ja.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 29, pikën Q, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person ‘i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit’. Prandaj, ne do të kërkojmë nga KGjK-ja që të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit. Kjo periudhë do të llogaritet nga dita e zgjedhjeve lokale, varësisht se cila do të jetë, dhe tri vite mbrapa asaj date”, tha ai.

Verifikimi i kandidatëve do të mbetet sfidues për institucionet pasi bëhet fjalë për mijëra persona.

Vetëm në zgjedhjet lokale të vitit 2017, morën pjesë 204 kandidatë në garën për kryetar Komune, ndërsa rreth 6,900 kandidatë për Kuvende Komunale.

Sipas KQZ-së, për dallim nga zgjedhjet e 14 shkurtit të cilat ishin të parakohshme dhe u organizuan në një kohë të shkurtër, zgjedhjet lokale janë të rregullta dhe KQZ-ja do të ketë më shumë kohë për organizimin e tyre. Në këtë rast, sipas KQZ-së, edhe periudha e paraparë për institucionet e tjera do të jetë më e gjatë, por kjo do të vendoset saktë nga KQZ-ja, me miratimin e planit operacional.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *