Ministri i Financave: S’mbahet shteti me falje të borxheve, por me tatim

Ministri i Financave dhe Trasnfereve, Hekuran Murati, ka thënë se ata që e kanë ftuar në interpelancë për “Faljen e gjobave bizneseve të prekura nga situata me COVID-19” nuk e kanë të qartë se pse e kanë thirrur.

“Në tekstin që kam pranuar në lidhje me interpelancën thuhet që Ministri i Financave thirret për faljen e gjobave të pandemisë, pastaj në fjalim kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së thotë që duhet të falen edhe gjobat e ATK-së të cilat nuk kanë të bëjnë më pandeminë. Sa për informatë në lidhje me gjobat e ATK-së ekziston një vendim që është për heqje të gjobave në rast se tatimpaguesi paguan shumën e plotë të borxhit plus interesin dhe ky vendim është valid deri më 30 qershor, pra bizneset që dëshirojnë të përfitojnë nga kjo mundësi e kanë mundësinë deri në këtë datë. Kanë aplikuar 953 biznese për ta shfrytëzuar këtë formë të faljes së pjesës ndëshkimore, por borxhi duhet të paguhet sepse kanë paguar të gjithë tatimpaguesit e tjerë”.

“Çështja tjetër ka të bëjë me gjobat që janë shpërndarë nga Inspektoriati e të cilat nuk kanë të bëjnë me Ministrinë e Financave dhe Trasnfereve. Ato gjoba janë rregulluar me ligjin që është miratuar në këtë kuvend”.

Ai ka deklaruar se gjobat janë për të ndëshkuar shkelësit e ligjit dhe nëse hiqet ky mekanizëm krijohet anarki dhe kaos.

“Unë e kuptoj që praktikat qeverisëse në të kaluarën nuk e kanë pasë këtë problem, por për qeverinë tonë zbatimi i ligjit është prioritar dhe nuk ka përjashtime nga ligji”.

Ministri i Financave ka deklaruar se borxhet nuk mund të falen, sepse me falje të ndëshkimeve s’mbahet shteti, njofton Klankosova.tv.

“Çka nëse do të faleshin? Kemi pasë raste në të kaluarën. Ka qenë Ligj për Faljen e Borxheve Tatimore dhe e kemi parë që le që nuk e ka rritur efektivitetin, përkundrazi ka krijuar pritje që çdokush mund të mos e paguajë tatimin, sepse del një Grup Parlamentar si sot dhe borxhet po u falkan”.

“Borxhet nuk mund t’i falim. Me falje të ndëshkimeve s’mbahet shteti. Shteti mbahet me tatim, mbahet prej tatimpaguesve që i paguajnë më rregull, edhe kur kanë pasë vështirësi. Unë sot këtu dua t’i falënderoj publikisht tatimpaguesit e rregullt që i paguajnë çdo muaj shtetit tatim. Çdo muaj ia mundësojnë këtij shteti që t’i paguajë 100 milionë euro paga dhe pensione, pa asnjë vonesë. Tatimpaguesve të rregullt nuk iu dëgjohet zëri, por borxhlinjve kronikë të cilëve iu kanë akumuluar borxhet shpresojnë në nisma të tilla siç kemi pasë në të kaluarën. Shteti nuk mbahet kështu”.

Ai ka folur edhe për dy llojet e tatimeve të cilat i ka sqaruar.

“Nëse flasim për ATK-në janë dy lloje tatimesh – tatimi mbi vlerën e shtuar dhe tatimi në fitim. Tatimi mbi vlerën e shtuar nuk është e hyrë biznesore, sepse mblidhet nga konsumatori fundor dhe përcillet në llogarinë e shtetit. Nuk regjistrohet në librat kontabël të një biznesi dhe nuk i takon biznesit”.

“Tatimi në fitim një biznes mund të ketë borxh vetëm nëse ka pasë fitim dhe ajo normë është 10 %. Nëse dikush i ka pasë 1000 euro fitim detyrohet me i pagu 100 euro tatim. Nëse dikush ka pasë humbje nuk ka tatim, sepse tatimi për humbje është 0 – madje humbja mund të bartet gjashtë vite prapa. Megjithatë edhe Ligji për ATK-në dhe Procedurat e parasheh që edhe në rast kur një kompani ka vështirësi për pagimin e gjobave mund të hyjë në marrëveshje me ATK-në që ta paguajë me këste”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *