Mjekët kosovarë: Në vjeshtë mund të rritet numri i infektimeve me Covid-19
Imunizimi i ngadaltë i popullsisë nga profesionistët shëndetësorë po shihet si rrezik potencial që Kosova të përfshihet nga një valë e re e virusit gjatë muajve në vijim. Ndër infektologë dhe pulmologë rekomandohet imunizim sa më masiv si armë e vetme për ta mundur pandeminë.
Ndonëse situata epidemiologjike me koronavirus është përmirësuar në vendin tonë, shqetësimi mbetet goditja nga një valë e re infektimesh muajve vijues.
Infektologu Sali Ahmeti parashikon që në vjeshtë mund të ketë rritje të numrit të të infektuarve me Covid-19.
Për pulomologun Besim Borina, rrezik për një valë të re infektimesh në vendin tonë përbën numri i vogël i qytetarëve të vaksinuar kundër koronavirusit.
‘Përderisa nuk kemi numër të konsiderueshëm të të vaksinuarve ne gjithmonë jemi të rrezikuar për një valë të re”, tha ai.
Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk folën për rritjen e numrit të të vaksinuarve.
Ditë më parë në vendin tonë u konfirmuan rastet e para me variantin Delta i cili tashmë është përhapur në mbi 90 vende dhe vlerësohet si kërcënim për shëndetin publik.