Myta i Kurtit në pikëpyetje, kandidatura për Prizrenin ende në shoshën e partisë

Opinionistë politikë dhe aktivistë të shoqërisë civile vlerësojnë se kandidimi i sërishëm i Mytaher Haskukës për kryetar të Prizrenit s’do të jetë i dobishëm për Vetëvendosjen. Vetë Haskuka ka paralajmëruar se do të flasë ditëve në vijim, derisa Kryetari i degës atje, Artan Abrashi i tha Gazetës Express se nuk dihet deri në momentin e fundit se sa kandidatura do t’i aprovojë kryesia, të cilat do të shkojnë për votim në degën e partisë në Prizren.

Ruajtja e pushtetit në Prizren është një prej synimeve kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje, meqë Mytaher Haskuka ishte promovuar si model nga Albin Kurti dhe ishte premtuar revolucion në qytetin historik.

“Me Mytën do ta mbysim korrupsionin”, ishte fjalia e famshme e Kurtit që jehonte sallave të fushatës në Prizren para katër vitesh.

Megjithatë kur ka kaluar e gjithë kjo kohë, as vetë Haskuka s’ka ndonjë përgjigje kur pyetet nëse do të kandidojë. Ai i ka thënë Gazetës Express se lidhur me temën e kandidimit do të flasë ditëve në vijim

“Ditëve në vazhdim do të dal publikisht lidhur me kandidaturën time për kryetar të Prizrenit. Kaq kam”, i tha Haskuka Gazetës Express.

As Dega e Lëvizjes atje s’kanë ende përgjigje se kush është emri me të cilin do t’i futen betejës për qytetin e Lidhjes.

Kryetari i degës së VV-së në Prizren, Artan Abrashi tha se mbetet e paqartë deri në momentin e fundit se sa kandidatura do t’i dërgojë në degë kryesia qëndrore për votim.

“Me bazë statutare ka ndryshuar forma se si zgjedhet kandidati. Fillimisht kryesia qëndrore i pranon kandidaturat e më pas e vlerëson se kush duhet të jetë dhe në fund dega e merr miratimin. Kur ta zyrtarizojmë kandidaturën natyrisht që do të fillojmë angazhimin për fitoren e dytë. Mundet me ardhë një kandidaturë ose edhe më shumë për votim, ajo është e paqartë si do të vendosë kryesia për atë arsye pra nuk i dihet deri në momentet e fundit”, tha Abrashi për Gazetën Express.

Derisa përjashton mundësinë që të kandidojë vetë për të parin e Prizrenit.

“Aktualisht jam deputet i Kuvendit të Kosovës dhe po mendoj që kontributi im është më i madh në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Edhe njohësit e zhvillimeve politike në vend dhe anëtarët e shoqërisë civile kanë rezervat e tyre rreth asaj nëse duhet t’i jepet sërish mundësi Haskukës për të synuar mbajtjen e karriges së kryetarit.

Opinionisti politik, Imer Mushkolaj thotë se qeverisja e Haskukës është karakterizuar me skandale dhe Vetëvendosje e di se Prizreni tashmë s’është model që duhet shfrytëzuar për të kërkuar vota nga qytetarët në zgjedhjet lokale.

“Unë besoj që ka me pasë konkurrencë se kush do të jetë kandidat për kryetar, s’po di a me e quajt shtyrje me bërryla pasiqë po duket se Vetëvendosje s’është e kënaqur me mënyrën se si ka qeverisë Haskuka në Prizren. Mos të harrojmë se vazhdimisht qeverisja e tij të paktën bazuar në raportimet e mediave është karakterizu edhe me skandale që janë bërë publike dhe në njëfar forme VV-ja e din që Prizreni nuk është modeli që ajo do të duhej ta shfrytëzonte për me e kërku vota nga qytetarët në komunat tjera. Kështu mund ta ketë menduar para 4 vjetëve kur e ka fituar komunën e Prizrenit, por tash në fund të mandatit të Haskukës, përnjëmend Prizreni nuk është modeli që Vetëvendosja do të duhej me e shty përpara në kuptimin e bindjes së njerëzve që me e votu”, tha Mushkolaj për Express të enjten.

Tutje, Mushkolaj vlerëson se Haskukës nuk duhet t’i ipet mundësia për të kandiduar sërish marrë parasysh katër vitet e para të qeverisjes.

“Besoj që Vetëvendosja do të gjejë persona të tjerë, ose person tjetër i cili do të mund të kandidonte për kryetar, nuk jam i sigurt se zonja Millaku do të jetë kjo pavarësisht dëshirës së saj që të jetë kandidate për kryetare. Poashtu jam më se i bindur që një kryetari si Haskuka të mos i ipet mundësia që të kandidojë edhe njëherë, duke pasë parasysh qeverinë e tij gjatë katër vjetëshit të kaluar”, tha Mushkolaj

Kenan Gashi, drejtor ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare AVONET që ka monitoruar punën e kryetarit Mytaher Haskuka tha për Gazetën Express se ai nuk sjellur transparencë dhe llogaridhënie në komunë.

“Si anëtar i shoqërisë civile që kam monitoruar disa komuna, përfshirë edhe Komunën e Prizrenit, e kam vërejtur se atje Vetëvendosje ka përçarje brenda qendrës dhe e dyta është se kryetari aktual nuk ka sjellur qeverisje të mirë dhe shpesh herë është hasur në shkelje të ndryshe ligjore duke u ballafaquar me probleme të shumta. Në të njëjtën kohë i kemi dy çështje që ai s’ka mundur t’i tejkalojë është me vendosur rend, transparencë dhe llogaridhënie për qytetarët, duke filluar prej zyrës së Prokurimit, kabinetit të tij e deri tek drejtorët e ndryshëm”, tha ai.

Gashi poashtu u shpreh se nëse VV kandidon edhe njëherë me Haskukën do ta ketë problem fitoren në Prizren.

“Si monitorues por edhe si hulumtues kemi vërejtur shumë shkelje në zyrën e Prokurimit, në implementim të projekteve kapitale në drejtori të caktuara dhe formën e punësimit si e ka praktiku gjatë mandatit të tij. Ne mendojmë që ky kryetar është kandidat, Vetëvendosja e ka problematike të fitojë në Prizren”, tha Gashi.

Mytaher Haskuka kohëve të fundit nuk i ka pasur punët mirë edhe me asamblistët e partisë së tij. Gjatë një seance në Kuvendin e Prizrenit, asambilisti i VV’së, Karanfil Haxhillari, e kishte akuzuar Haskukën se i ka injoruar në vazhdimësi, derisa kishte paralajmëruar përballje në strukturat e partisë.

E gjithë kjo përplasje kishte ardhur pasi Haskuka i kishte akuzuar asamblistët e partisës së tij për bashkëpunim me partitë opozitare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *