Naftëtarët do t’i kërkojnë Qeverisë heqjen e akcizës për derivate

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës do t’i propozojë Qeverisë së Kosovës që të hiqet akciza e derivateve, në mënyrë që të ulet çmimi i tyre në pikat e karburanteve në vend.

Fadil Berjani nga kjo shoqatë ka thënë se me heqjen e akcizës çmimi për një litër naftë do të jetë 36 centë më i ulët.

“Akciza është 36 centë e gjysmë për një litër diesel, nëse intervenon kryeministri e dëmton buxhetin e Kosovës pak, por mund të ulet çmimi për 36 centë. Do të kishim çmimin 1.50 centë”, tha ai.

Në Interaktiv të KTV-së, ai tha se naftëtarët nuk e pranojnë draft-vendimin e Ministrisë së Industrisë që kufizon fitimin e naftëtarëve. Me këtë draft-vendim Qeveria synon ta ulë çmimin deri në 12 centë për litër.

Berjani sqaroi se një vendim i tillë do t’i dëmtonte bizneset pasi sipas tij, fitimi i pikave të karburantit është nga 6 deri 10 centë.

“Një pikë karburanti i fiton vetëm 9 apo 10 cent, është shumë pak, sepse nuk mbulohet. Janë çmime drastike, por si shoqëri kemi ndërruar shumë kryeministra, asnjëherë nuk kemi kërkuar të ulet akciza apo të hiqet, sepse gjithmonë në fund të vitit kriza është më e madhe për derivatet. Ka pasur probleme dhe kriza, por kriza e fundit është më e gjata. Siç po duket po i vjen koha që Kurti të ndërhyjë në mënyra të tjera që ta heqë akcizën ose TVSH-në”, tha ai.

Berjani tha se sipas informacioneve nga Shqipëria, çmimi i furnizimit me derivate do të jetë për 1 cent më lirë të enjten.

“Nuk po mund të paragjykojmë se si do lëvizin çmimet. Nga Shqipëria na ka ardhur informacioni se për nesër (e enjte v.j.) furnizimi është për 1 cent më lirë”, shtoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *