Ndërmarrja “Agrokosova”, i kthehet privatizuesit të saj
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka rikthyer ndërmarrjen “Agro Kosova Holding” te privatizuesi i saj, Aziz Tafa. Më 24 maj 2022, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka pranuar Aktvendimin nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme në të cilën me shumicë votash është vendosur masë e përkohshme ndaj vendimit të Bordit të AKP-së për tërheqjen e aksioneve dhe vendosjen e ndërmarrjes së re” Agrokosova” nën administrim direkt të AKP-së deri në vendimin përfundimtar të shqyrtimit të padisë së ish-blerësit të Agrokosovës.
Me këtë përkohësisht është vendosur që një pronë me interes publik për zhvillimin ekonomik të Kosovës të largohet nga administrimi i një institucioni shtetëror siç është AKP-ja dhe të kthehet nën administrim të palës private, thuhet në komunikatë.
Avokatja e ndërmarrjes “ Agrokosova”, Shpresa Berisha-Rexhepi, e cila përfaqëson ish-blerësin në rastin e kësaj ndërmarrjeje, ka thënë para mediave, se nga 30 maji ndërmarrja është kthyer te pronarët, të cilët e kanë drejtuar atë para datës 31 janar të këtij viti. Ajo ka njoftuar se komisioni që do të bëjë verifikimin e gjendjes në terren është i përbashkët dhe do të fillojë punën menjëherë pas pranim-dorëzimit.
Ndryshe, në fillim të këtij viti, Bordi i drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kishte marrë vendim për tërheqje të aksioneve dhe vendosje nën administrim të drejtpërdrejt të ndërmarrjes së re Agrokosova Holding, ish-Ndërmarrja Shoqërore “NBI Suhareka”.
Sipas AKP-së, “Agrokosova” kishte dështuar të realizonte investimet e zotuara në ndërmarrjen e privatizuar nga shteti 14 vjet më parë, ndërsa një gjë e tillë ishte kundërshtuar nga pronarët e kësaj ndërmarrje, të cilët nga dita e sotme sërish e kanë marrë nën menaxhim atë./ Televizioni i Prizrenit