Ndërtesa e familjes Kovaçi në Prizren, po i nënshtrohet ndërhyrjeve emergjente

Edhe ndërtesa e Familjes Kovaçi në Prizren, po i nënshtrohet ndërhyrjeve emergjente nga MKRS-ja.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, me mbështetje të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore dhe Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, sot filloi punimet për konsolidimin e ndërtesës Hani dhe Nallbani i familjes Kovaçi në Prizren.

Ndërtesa e familjes Kovaçi gjendet brenda kufijve të Qendrës Historike të Prizrenit, respektivisht në Zonën e parë, ku sipas Planit të Konservimit dhe Zhvillimit për Qendrën Historike të Prizrenit emërtohet “Zona Tradicionale e Dyqaneve”.

Ndërtesa e Hanit dhe Nallbanit të familjes Kovaç në vete posedon vlera historike si dëshmi e trashëgimisë arkitektonike dhe zejtare, ku njëkohësisht në vete ngërthen edhe vlera edukative, shoqërore dhe ekonomike për qytetin të lashtë të Prizrenit.

Drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha i shoqëruar nga Drejtori i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore Imer Hakaj si dhe inspektorët komunal të Komunës së Prizrenit kanë vizituar për së afërmi fillimin e punimeve në këtë ndërtesë. Drejtori Hoxha gjatë kësaj vizite ka theksuar  se “duhet falënderuar të gjitha institucionet e përfshira në këtë nismë, por  me theks të veçantë pronarët, poseduesit dhe shfrytëzuesit e këtyre ndërtesave që po tregojnë gatishmëri për t’u bërë palë në këtë proces tejet të ndërlikuar, njëkohësisht shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tyre në radhë të parë por edhe të qytetit të Prizrenit”.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe punonjësit profesional të këtij institucioni do të jenë të përkushtuar në zbatim të këtij projekti dhe tjera të ngjashme, pasi që kemi detyrimin dhe përgjegjësinë ligjore që duke punuar vullnetshëm, ta shohim ç’do ditë e më të bukur qytetin tonë ka thënë  drejtori i QRTK-së në Prizren Samir Hoxha, gjatë realizimit të kësaj vizite.

Ky projekt i ndërhyrjeve emergjente sikurse edhe shumë tjera që po realizohen së fundmi në regjionin e Prizrenit, janë financim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në zbatim të programit masat preventive intervenimet emergjente.

QRTK – Prizren, mars 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *