Në çka shpenzojnë qytetarët e Kosovës?
Mbi 2.5 miliardë euro është vlera financiare që qytetarët e Kosovës kanë shpenzuar për konsum, gjatë vitit 2022. Pjesa më e madhe e këtij buxheti është shfrytëzuar për ushqim dhe pije joalkoolike.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare (ABEF) për vitin 2022.
Rezultatet e anketës janë shqetësuese sa i përket standardit të jetesës dhe vështirësive ekonomike që shumë familje në Kosovë kanë hasur gjatë vitit 2022.
Madje, një pjesë e konsiderueshme e familjeve në Kosovë kanë vështirësi për t’i përballuar edhe faturat mujore.
“Ekonomitë familjare shpesh nuk janë në gjendje të paguajnë në kohë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale – faturat, mirëmbajtje të rregullta etj”, thuhet në anketë.
Gjatë vitit 2022, 19 përqind e ekonomive familjare nuk kanë mundur të përballojnë pagesat, dy herë ose më shumë gjatë vitit, ndërsa 65 përqind e ekonomive familjare kanë qenë në gjendje t’i përballojnë pagesat.
Nga rezultatet e dala nga ky publikim rezulton se totali i shpenzimeve për konsum në Kosovë në vitin 2022 ishte 2 527 milion euro, shpenzimet në konsum për një ekonomi familjare ishin 8 106 euro ndërsa shpenzimet për kokë banori ishin 1 903 euro.