Në dy raste në Prizren, një në Mitrovicë, sekuestrohen 40 mijë dollarë dhe euro, arrestohen tre persona të dyshuar për para false
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Mitrovicë, sot pas hetimeve paraprake, ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e tre të dyshuarve: B.M., M.Sh., F.K., kurse i dyshuari Sh.D., gjendet në arrati.
Tre të dyshuarit janë arrestuar nën dyshimin se janë të përfshirë në veprën penale ‘falsifikim i parasë’. Në proces hetimor është kryer urdhër-kontroll (verbal), në tre lokacione: dy në Prizren dhe një në Mitrovicë.
“Hetuesit policorë, si provë materiale kanë sekuestruar: 3×500 euro, gjithsej 1500,00 euro, 320×100 dollarë amerikan dhe 160×50 dollarë amerikan gjithsej 40.000,00 dollarë, tre telefona mobil, pasaporta dhe dokumentet identifikuese të të dyshuarve dhe dy veturat te përdorura nga të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Gazeta Express.
Paratë e sekuestruara dyshohet të jenë të falsifikuara. Për detajet tjera, që do të sigurohen gjatë procesit hetimor, do të njoftoheni me raport shtesë.