Për të dytën herë me radhë dështon gjykimi për keqpërdorime lidhur me ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka dështuar të mbahet gjykimi për korrupsion ndaj Almir Sahitit, Muhamet Bajramit, Drenusha Behluli-Mehmetit dhe Hatixhe Përzhellës dhe Refki Muzbeg.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarit Muhamet Bjarami, për të cilin kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani, deklaroi se nuk e ka arsyetuar mosardhjen, raporton “Betimi për Drejtësi”.Ndërsa, avokati i të akuzuarit Bajrami, Rexhep Kabashi, deklaroi se nuk ka mundur ta kontaktoi të akuzuarin dhe nuk e dinë arsyen e mosardhjes.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Almir Saiti, avokati Hajrip Krasniqi, deklaroi se duke pasur parasysh situatën në të cilën gjendemi me pandemi, në konsultim edhe me kolegët e tjerë mbrojtës, propozojmë që të negociojmë marrëveshjen për pranim të fajësisë dhe se kërkesën për negocim do ta bëjnë më vonë, ku përmes një shkrese do ta njoftojnë prokurorin Nixha.Prokurori Genc Nixha, u pajtua me propozimin e avokatit Ktasniqi.

Pasi që kjo seancë nuk kishte kushte që të mbahet, e njëjta u shty dhe u caktua të mbahet me 09 mars 2021 në ora 10:00, ndërsa për të akuzuarin Muhamet Bajrami, gjykata do të lëshon urdhëresë për sjellje me dhunë.Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 16 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Almir Sahitit, Refki Muzbegut, Muhamet Bajramit, Hatixhe Përzhellës dhe Drenusha Behluli-Mehmetit për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Almir Saiti akuzohet se gjatë periudhës 2010, e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i caktuar si menaxher-drejtor i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324.623.82 euro.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Saiti edhe pse është vërtetuar se pozicionet nuk janë punuar si duhet ashtu siç kanë qenë të parapara sipas kontratës edhe për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” nga fshati Metvec, Komuna e Prizrenit, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573,154.90 euro, të përshkruar në hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.Ndërsa, sipas aktakuzës, Refki Musbeg akuzohet se gjatë periudhës 22 tetor 2009, e deri më 30 qershor 2011, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324,623.82 euro, të përshkruara më hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati,

Në aktakuzë thuhet se edhe pse është vërtetuar se punimet nuk ishin kryer si duhet dhe siç kanë qenë të parapara sipas kontratës dhe për faktin se pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës më 1 mars 2019, i njëjti ka lejuar pagesat.Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Muhamet Bajrami akuzohet se gjatë periudhës 24 dhjetor 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573,154.90 euro, të përshkruar në hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Kurse, Hatixhe Përzhella akuzohet se periudhës dhjetor 2013, e deri më 27 maj 2014, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Shërbime Publike në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Kosova Erh-Kotori” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në tre raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 67,633.00 euro, të përshkruar në hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Sipas prokurorisë për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe Drenusha Behluli-Mehmeti, ku ajo akuzohet se periudhës 03 nëntor 2017, e deri më 12 dhjetor 2017, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, për mbikëqyrjen e projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “NNT TONI” nga Malisheva, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në dy raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 64,609.23 euro, të përshkruar në hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragraf 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *