Personat më Aftësi të Kufizuara janë ndër më të diskriminuarit në shoqërinë tonë
Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara që shënohet me 3 dhjetor ka për qëllim që të promovojë të drejtat dhe mirëqenien e Personave me Aftësi të Kufizuara në të gjitha sferat e shoqërisë dhe zhvillimit, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për pozitën e personave me aftësi të kufizuara në të gjitha aspektet e jetës politike, sociale, ekonomike dhe kulturore.
OPDMK bashkë me EC Ma Ndryshe sivjet e kanë shënuar këtë ditë me një aktivitet avokues për nevojën e zbatimit të legjislacionit në fuqi dedikuar personave me aftësi të kufizuara me qëllim të përfshirjes së plotë dhe të papenguar në shoqëri.
Përmes performancës publike është shprehur nevoja për respektimin e të drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara në mënyrë që ata të mund të marrin pjesë në mënyrë të plotë, të barabartë dhe efektivisht në shoqëri, respektivisht të eliminohen të gjitha barrierat ekzistuese.
Raporti i fundit i BE-së për Kosovën ka konstatuar se PAK-të janë ndër më të diskriminuarit në shoqëri, meqë mungon qasja fizike në infrastrukturë, edukimi cilësor, kujdesi adekuat shëndetësor dhe social, sikurse edhe mundësitë për punësim, ndërkohë që një pjesë e legjislacionit as nuk zbatohet.
Prandaj në këtë performancë publike, OPDMK dhe EC, përmes orëve të kurdisura në 5 në 12 si dhe alarmit kanë përçuar mesazhin tek autoritetet lokale dhe ato qendrore se është koha që të veprohet konkretisht në respektimin e të drejtave të PAK-ve. Me këtë rast janë shpalosur edhe tabelat me mesazhe kundër diskriminimit dhe për barazi e qasje të plotë.
Krahas shqetësimit për mos zbatimin e disa ligjeve dhe akteve nënligjore, OPMDK edhe njëherë ka adresuar brengën se autoritetet lokale tash e 11 vite nuk kanë siguruar zyre të përshtatshme për këtë organizatë që merret me aktivitete dedikuar PAK-ve.