Përurohet busti i bilbilit të këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha
Sot është bërë përurimi i bustit të bilbilit të këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha në fshatin e saj të lindjes, Pagarushë të Komunës së Malishevës.
Ky aktivitet u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në bashkëpunim me komunitetin e fshatit Pagarushë (vendlindja e Nexhmije Pagarushës).
Mbretëresha e këngës shqipe Nexhmije Pagarusha është lindur më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës dhe ka vdekur më 7 shkurt të vitit 2020, në moshën 86-vjeçare.
Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e këngës shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitet të tjera. Veprimtaria muzikore 50-vjeçare e Nexhmije Pagarushës është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i ka takuar.
Ajo është njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera. ”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj, e cila ishte shkruar nga tekstshkruesi Rifat Kukaj.