Përurohet në Kobaj, Memoriali kushtuar dëshmorëve, Nexhat Fanaj e Ajdin Rramanaj

Të mërkurën, është bërë përurimi i Memorialit kushtuar dëshmorëve të fshatit Kobaj, Nexhat Fanaj e Ajdin Rramanaj, ndërsa pjesë e këtij Memoriali është edhe një pllakë kushtuar martirit të këtij lokaliteti, Nijazi Rramanaj.

 Pjesë e ceremonisë me rastin e përurimit të Memorialit kushtuar dëshmorëve, Nexhat Fanaj e Ajdin Rramanaj, ishin familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të UÇK-së, banorë të Kobajt dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Për jetën dhe veprën e dëshmorëve, ka folur profesor Sabir Rramanaj, i cili tha se gjaku i tyre vendosi themelet e Kosovës, pasi që Nexhati e Ajdini e deshën vdekjen ndërsa e urrejten robërinë e popullit të tyre.

Drejtori i Administratës në Prizren, Osman Hajdari, tha se ky Memorial meritor kushtuar dëshmorëve do t’i shërbejë kujteses sonë kolektive për të përkujtuar veprën sublime të të rënëve për liri.

Ndërkaq, në një fjalë rasti, sekretari i degës së OVL të UÇK-së në Prizren, Isa Berisha, tha se dëshmorët sikurse Nexhati e Ajdini, janë vula dhe gurthemeli i pavarësisë së vendit tonë.

Për të gjithë të pranishmit u shfaq edhe një program i pasur artistik me këngë nga rapsodë të mirënjohur nga Kukësi si dhe një poezi nga një vogëlushe kobjane.

Ndryshe, projekti për ndërtimin e këtij Memoriali është financuar nga Drejtoria e Administratës në vlerë 17 mijë e 500 euro./Tv Prizreni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *