Përurohet “Shtëpia e të Moshuarve” në Gjinoc të Suharekës
Në Gjinoc të Suharekës, është bërë përurimi i “Shtëpisë së të Moshuarve”, e cila është ndërtuar falë mbi tre mijë donatorëve.
Ky objekt nga e shtuna, do të jetë strehë për të moshuarit pa përkujdesje familjare. Sot edhe janë dhuruar çelësat për dy banorët e parë të kësaj shtëpie.
Kryetari i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati tha se ky projekt dhe ide e jetës së tij.
“Jam ballafaquar me sfida dhe situata të rënda ekonomike dhe shëndetësore. Rrëfimet prekëse të sëmurëve na bëjnë që shumë netë t’i kalojmë pa gjumë. Rrëfimet e tyre janë prekëse dhe ta thajnë fytin”, tha ai.
Humanisti Halil Kastrati tha se shoqata “Jetimat e Ballkanit”, përkujdeset për shumë të moshuar. Ai tha se dy raste kanë qenë vendimtare që e ka shtyrë atë që të strehojë një ditë.
“Ne një ditë shkuam për ta vizituar një të moshuar, dhe ai kishte vdekur pa e parë askush… përgjegjësitë tona si shoqëri që Zoti nuk u ka mundësuar që të bëhen prind, është respekti që duhet të tregojmë. Angazhimi ynë nuk përfundon këtu. Pamje e këtij objekti modern nuk ka kuptim pa gjallërinë. Ne do të punojmë bashkë me donatorët tanë 24 orë, do të mundohemi të tregohemi model”, ka shtuar Kastrati.
E ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se do të vazhdojnë të mbështesin të moshuarit banues të këtij objekti.
“Si institucione e kemi për obligim përkrahjen institucionale. Interesimi ynë ka vazhduar me mbështetjen shëndetësore. Do t’i marrim këto obligime dhe përkrahjen ta vazhdojmë që ata që qëndrojnë në këtë shtëpi të kenë përkujdesin shëndetësor”, u shpreh Zemaj.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit te PDK-së, Enver Hoxhaj tha se humanisti halil Kastrati u ka mundësuar shumë të moshuarve që të kenë jetë të dinjitetshme.
“Ky projekt i ka dhënë një kuptim të ri Therandës. Dhe vet Kosovës, sepse është projekti i parë ku një shoqatë bamirëse e sjell këtu në Kosovë një shtëpi për të moshuar. Kjo punë është një model”, tha Hoxhaj.
Në përurim të kësaj shtëpie morri pjesë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili i ka ndarë një medalje për Halil Kastratin.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari bëri thirrje për bashkim, që mund të realizohen gjëra të mira e në shërbim të qytetarëve.
Ndërsa, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj ka falënderuar të gjithë donatorët të cilët mundësuan ndërtimin e kësaj shtëpie. Sipas tij, ideja për ndërtimin e saj ka filluar para dhjetë vitesh.
Në përurimin e kësaj shtëpie, morën pjesë edhe përfaqësues fetarë dhe ushtarakë të FSK-së.