Prizrenasi i hyn dajak ish-bashkëshortes pasi u kapën në lidhje me fëmijët, futet në telashe me Policinë
Shpeshherë për çiftet kosovare telashet nuk marrin fund me shkurorëzim. Shumë nga ta vazhdojnë të kenë probleme me ish-partnerët e tyre, për motive të ndryshme. Si pasojë e telasheve të vazhdueshme janë gratë ato që kryesisht kërkojnë ndihmën e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ku një grua ka denoncuar në Polici ish-bashkëshortin e saj me të cilin kishte qenë e martuar për një kohë dhe kanë katër fëmijë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj ish gruas së tij, duke i shkaktuar shqetësim e frikë, pas një mosmarrëveshje që kanë pasur lidhur me fëmijët.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur që ta raportojë rastin në Polici, ku ka rrëfyer për rastin që kishte ndodhur mes tyre.
Si rezultat i denoncimit, njësitet policore janë vënë në lëvizje me ç’rast kanë arritur që ta arrestojnë personin e dyshuar, i cili u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë vendim që ndaj tij të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.