Prizrenasi ushtron dhunë fizike e psikike ndaj gruas, përfundon në ndalim policor pas denoncimit
Rastet e dhunës në familjet kosovare po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që çdo ditë e më shumë gratë janë ato që po përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur të shtunën në rrugën ‘Fadil Balaj’ në Prizren, ku një burrë dyshohet se ka rrahur bashkëshorten e tij.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se gruaja e ka denoncuar bashkëshortin, i cili sipas saj në mënyrë sistematike po ushtron dhunë fizike dhe psikike, duke i shkaktuar shqetësim dhe frikë. Rasti i fundit i dhunës dyshohet se ka ndodhur dje, kur i dyshuari e ka goditur me grushte, me ç’rast viktima ka pësuar lëndime trupore.
Si rezultat i raportimit, njësitet policore janë vënë në lëvizje dhe kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, ku është përballur me denoncimin kundër tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.