Pse ka pasqyrë në ashensorë?
Pothuajse gjithmonë ka të paktën një pasqyrë në ashensorë, dhe ndonjëherë të gjitha muret e brendshme të kësaj dhome të vogël janë reflektuese.
Zakonisht, prania e një pasqyre përdoret për t’i rregulluar flokët, grimin ose jakën e një palltoje, veçanërisht nëse dikush ka dalë nga shtëpia me nxitim. Por kjo nuk është aspak arsyeja kryesore për instalimin e pasqyrave në ashensorë.
Gjegjësisht, ekziston një arsye psikologjike për vendosjen e pasqyrës në ashensor.
Ashensori është një hapësirë e ngushtë, mezi një metër katror i gjerë ose pak më shumë. Njerëzit që vuajnë nga ankthi ose klaustrofobia mund të kenë frikë të jenë në një hapësirë kaq të kufizuar, edhe për vetëm disa sekonda.
Prania e një pasqyre krijon iluzionin e një hapësire më të madhe se sa është në të vërtetë dhe redukton ndjenjën e parehatisë. Efekti është edhe më i madh nëse ka një pasqyrë në çdo mur. Pasqyra, përveçse jep iluzionin se ka më shumë hapësirë se sa është në të vërtetë, u jep njerëzve në ashensor një ndjenjë sigurie.
Ndodh shpesh që të hyni në ashensor me persona të panjohur, gjë që është shkak për tension dhe shqetësim për shumëkënd. Me praninë e një ose më shumë pasqyrave, është e mundur të “kontrolloni” se çfarë po bëjnë njerëzit e tjerë në ashensor dhe të mbroheni nga kontakti fizik i padëshiruar apo vjedhja.