PZAP-ja pezullon gjashtë komisionarë të një vendvotimi në Suharekë, urdhëron rinumërim të votave
Paneli Zgjedhor i Ankesave e Parashtresave (PZAP) ka aprovuar kërkesën e Albena Reshitajt të AAK-së për të rinumëruar votat e saj në qendrën e votimit 2404A/01R, në Suharekë. Ndërsa gjashtë komisionerë nga kjo qendër janë pezulluar për pesë vjet nga procesi zgjedhor.
Kryesuesi i vendvotimit Ermal Zenelaj, dhe anëtarët Jehona Zenelaj, Jeton Kokollari, Ernard Gashi, Floriana Zenelaj e Glodiana Zenelaj janë pezulluar për pesë vjet nga procesi zgjedhor si kandidat, apo si pjesë administrative e një organi zgjedhor të menaxhuar nën autoritetin e KQZ-së.
Reshitaj ishte ankuar se në këtë vendvotim kishte 31 vota, sipas deklaratës së vëzhgueses Adelina Krasniqi, por se në faqen e KQZ-së figurojnë 0 vota. PZAP ka zhvilluar hetimet dhe nga hetimi në QNR ka konstatuar se Reshitaj kishte 30 vota dhe një ishte e pavlefshme. Kështu që është urdhëruar të rinumërohen votat e saj në këtë vendvotim, e janë pezulluar gjashtë komisionarët në këtë vendvotim, që janë nënshkruar në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve (FRK).
PZAP ka aprovuar edhe një kërkesë të ish-drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj, kandidat nga radhët e PDK-së për deputet për rinumërim të votave. Votat e Qalajt do të numërohen në katër vendvotime, dy në Vushtrri e dy në Mitrovicë.
E Besa Ismaili Ahmetit të PDK-së do t’i numërohen votat në 15 vendvotime, nëpër Pejë, Gllogoc, Mitrovicë të Jugut, Vushtrri, Dragash e Skenderaj.
Po ashtu është aprovuar kërkesa e Lahi Ibrahimajt të AAK-së dhe do të rinumërohen votat e kandidatëve të AAK-së në dhjetë vendvotime.
E po ashtu me kërkesë të Albana Bytyqit të AAK-së do të rinumërohen votat e kandidatëve të kësaj partie në tetë vendovtinme.
Kërkesa e Lirije Kajtazit të LDK-së për rinumërim të pesë vendvotimeve është vlerësuar si e pabazuar nga PZAP. Po ashtu ankesa e ushtrueses së ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj, për rinumërim të votave në fshatrat Zaplluzhë e Shajmë është vlerësuar e pabazuar nga PZAP.
Dje ishin aprovuar dy kërkesa për rinumërim të Isak Shabanit të PDK-së dhe Zikreta Alitit të NDS-së.