Qeveria del kundër tërheqjes së parave nga Trusti, qytetarët i duan ato

Kohëve të fundit qytetarët në Kosovë janë goditur nga një rritje e lartë e çmimeve të konsumit. Për t’ua lehtësuar paksa vështirësit, u propozua tërheqja e një pjese të mjeteve nga Trusti.

Sot, Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin doli kundër kësaj ideje. Kurti tha se tërheqja e parave në Trust nuk e zgjidh problemin e qytetarëve.

“Kemi thënë edhe më herët edhe si opozitë në 2020, edhe 2021 në qeveri me Pakon e Ringjalljes Ekonomike e zbusim krizën, mirëpo nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjedhim problemin. Edhe dy ekspertë të FMN-së e kanë dhënë vlerësimin se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje”, ka deklaruar Kurti pasi bëri homazhe te busti i Zahir Pajazitit në Prishtinë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – si partia më e madhe opozitare ka propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.

Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së më 9 mars ka dorëzuar në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

HAXHIU PËR TËRHEQJEN E MJETEVE NGA TRUSTI: NUK ËSHTË KËRKESË E IMJA, POR E QYTETARËVE

Ky projektligj pritet t’i dërgohet Kryesisë së Kuvendit për futje në rend dite për shqyrtim.

Disa deputetë të partive opozitare janë deklaruar PRO tërheqjes së parave në Trust, si ndihmë për qytetarët.

Në vazhdimësi, qytetarët janë deklaruar se duan t’i tërheqin mjetet, madje edhe në rrjetet sociale mbizotëron numri i atyre që janë pro.

Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

MARSI KËNDELLI TRUSTIN, TË GATSHËM EDHE PËR TËRHEQJEN E 30 PËRQINDËSHIT

Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

Një tërheqje e ngjajshme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.

Tërheqja e 10-përqindëshit të kursimeve pensionale ishte bërë në kohën kur Qeveria udhëhiqej nga kryeministri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Fondi i Kursimeve Pensionale me mbi 700 mijë kontributpagues ka vlerën prej mbi 2.3 miliardë eurosh./Reporteri.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *