Qeveria i ka ndarë 35 milionë euro për t’ua dhënë punëtorëve dhe studentëve nga 100 euro
Qeveria e Kosovës ka ndarë 35 milionë eurove për dhënien e nga 100 eurove për të gjithë të punësuarit në sektorin privat me pagë mujore deri në 1.000 euro bruto, përfituesit e skemës së asistencës sociale dhe studentët.
Po ashtu, Qeveria ndau 35 mijë euro për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes në kuadër të masës për mbështetjen e sigurisë.
“Pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 3.6 – Mbështetja e likuiditetit familjar dhe masën 4.4 – Mbështetja e sigurisë. Sipas vendimit janë ndarë 35 milionë euro për zbatimin e masave për shtimin e mbështetjes për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe 35 mijë euro për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes në kuadër të masës për mbështetjen e sigurisë”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Mjetet e ndara sipas pikës 1. të këtij vendimi merren nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nga nën-programi “Programi i Ringjalljes Ekonomike”, nga kategoria e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”.