QRTK dhe Drjetoria e Urbanizmit nënshkruajnë memorandum bashkpunimi
Samir Hoxha, drejtor i QRTK në Prizren njofton se kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me drejtorin e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit.
Qëllimi i këtij Memorandumi është që të zhvillojë një platformë bashkëpunimi të ngushtë dhe efikas në mes të, Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit me qëllim të mbrojtjes, ruajtjes, rehabilitimit dhe mirëmbajtjes së karakteristikave tradicionale, historike e urbane të Qendrës historike të Prizrenit.
Përzgjedhja e dy shtëpive ajo e familje Arapi dhe familjes Gjonaj që janë pjesë e listës së trashëgimisë kulturore, është bërë nga ana e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, ndërkaq Komuna e Prizrenit përmes drejtorisë së Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor do të siguroj mjetet financiare në vlerë rreth 90 mijë euro për investimin e projekteve të planifikuara, i cili do të bëhet gjatë vitit 2021.
Ndërtesat e vjetra në qytetin e Prizrenit, janë veçanti e trashëgimisë kulturore, simbol i qytetërimit, pjesë e ndritshme e identitetit kulturor në Republikën e Kosovës.
MKRS- ja këto monumente të veçanta i ka përfshirë në prioritetet e veta dhe falë angazhimit të stafit profesional të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren janë hartuar projektet restauruese -konservuese.
Prizreni po shndërrohet në njërin prej atraksioneve të turizmit kulturor dhe të politikave kulturore në vendin tonë.
Kjo, sepse trashëgimia kulturore e historike është pasqyrë e vlerave dhe e nivelit kulturor të një populli, dhe se, përmes kujtesës historike, e njohim dhe e nderojmë të kaluarën, traditën, rrënjët, gjurmët, frymëmarrjet tona nëpër shekuj.