Qytetarët të hutuar për tatimin në pronë, komunat thonë se s’po paguajnë

Shtrenjtimi i faturave për tatimin në pronë, pas rivlerësimit të pronave nga ana e Ministrisë së Financave, ka shkaktuar huti te qytetarët. Ata s’po e paguajnë tatimin, meqë po presin se Ministri Hekuran Murati do ta anulojë këtë proces dhe do të paguajnë sikur vitin paraprak. Për ta paguar këstin e parë, ata kanë afat deri në fund të prillit, në të kundërtën pësojnë gjobat dhe aplikohet kamata. Komunat thonë se Murati po i injoron dhe se ende s’u ka kthyer përgjigje për kërkesën që i gjithë procesi të kthehet në pikën zero.

Në fund të muajit të ardhshëm, përfundon afati për pagesën e këstit të parë të tatimit vjetor në pronë. Për këstin e dytë, ka kohë deri në fund të shtatorit.

Sivjet çmimi do të jetë më i lartë, pas rivlerësimit të pronave që është bërë nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve. Kjo ka ndikuar që shumë qytetarë të hezitojnë ta bëjnë pagesën, meqë ende po shpresojnë se do të anulohet rivlerësimi dhe se do të paguajnë “me të vjetrën”.

Me një kërkesë të tillë, komunat i janë drejtuar edhe zyrtarisht Ministrit Hekuran Murati. Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i ka thënë Gazetës Express se komunat kanë kërkuar që gjithçka të kthehet në pikën zero.

Por, edhe për këtë kërkesë, Ibrahimi thotë se kanë hasur në injorim nga ana e Ministrit, edhe pse i njëjti para një muaji shprehej i gatshëm të mbështe “çfarëdo kërkese që kanë komunat për uljen e tatimit të vitit aktual.”

“Komunat kanë kërkuar që mos të ketë ndryshim sa i përket tatimit në pronë. Kanë kërkuar që gjithçka të kthehet në pikën 0 dhe në asnjë mënyrë mos të ketë ngritje të tatimit në pronë. Ministri Murati, nuk është hera e parë, përsëri i injoron komunat duke mos i kthyer përgjigje AKK sa i përket kërkesës për pezullim të vendimit për ngritjen e faturave për tatim në pronë si dhe mos ngritjes së tatimit në prone”, ka deklaruar Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, kjo ka shkaktuar edhe huti te qytetarët, të cilët s’po i paguajnë faturat.

“Ky mos-reflektim i Ministrit Murati ka shkaktuar huti te qytetarët të cilët nuk janë duke e paguar tatimin në pronë. Pra, ministri Murati duhet të shpjegojë se a do ketë ndryshim qëndrimi sa i përket kërkesave të komunave apo jo”, thotë Ibrahimi.

Nga AKK thonë se është në vullnetin e ministrit Murati se a duhet të vazhdohet me pagesën e faturave të dërguara për vitin 2023 apo jo, meqë vetëm ai mund të marrë vendim për pezullim.

“Ministri Murati me një vendim të ri mund ta pezullojë komplet procesin deri sa të amandamentohet ligji aktual për tatim në pronë. Pra, është në vullnetin e ministrit Murati se a duhet të vazhdohet me pagesën e faturave të dërguara për vitin 2023 apo jo. Ai mund të marrë një vendim për pezullim”.

Ibrahimi ka paralajmëruar qytetarët se nëse nuk e paguajnë faturën e tatimit në pronë sipas afatit ligjor, atëherë pasojnë edhe gjobat me kamata.

“Nëse qytetarët nuk e paguajnë faturën e tatimit në pronë sipas afatit ligjor, atëherë pasojnë edhe gjobat me kamata. Si konkluzion, institucioni i cili e shkaktoi problemin e që është MFPT nëse ka vullnet edhe mund ta zgjidh”, thuhet në përgjigjen e Ibrahimit.

Gjoba e interes për ata që s’paguajnë me kohë

Sipas Ligjit për Tatimin në Pronë, nëse pagesa për tatimin në pronë nuk bëhet në kohë, aplikohet interes për secilin muaj që vonohet pagesa dhe gjobë prej 10 për qind të tatimit të papaguar.

“1. Interesi aplikohet mbi tatimin e papaguar në një normë e cila është e barabartë me mesataren e normës vjetore të përcaktuar dhe publikuar nga Ministria e Financave, për vitin para vitit tatimor. 2. Interesi llogaritet në baza mujore nga data kur duhet të paguhet tatimi deri në muajin kur paguhet tatimi”, thuhet në Nenin 25 të këtij Ligji.

“Tatimpaguesi i cili nuk e paguan tatimin në pronën e paluajtshme në datën ose para datës së fundit për pagesë i vendoset gjobë në një shumë që është e barabartë me dhjetë përqind (10%) të tatimit të papaguar”, parashihet me Nenin 35 të këtij Ligji.

Edhe komunat fajtore për shtrenjtimin e tatimit

Komunat ishin në dijeni që nga tetori i vitit të kaluar se çmimet e tatimit në pronë do të rriteshin, por që shumica kishin heshtur.

Të vetmet komuna që kishin ngritur pakënaqësi për këtë raport dhe kishin kërkuar korrigjime janë ajo e Gjakovës dhe Kaçanikut.

Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjakovës, Durim Halilaj, i kishte thënë Gazetës Express se këtë raport e kanë pranuar më 31 tetor të vitit 2022.

Lidhur me pakënaqësitë për këtë raport, ai thotë se i ishin drejtuar me shkresë Ministrisë së Financave.

Gazeta Express e kishte siguruar këtë shkresë, ku ndër të tjera, thuhej se vlerësimi nëpër zona nuk është i saktë.

“Lidhur me Raportin mbi vlerësimin e përgjithshëm për vitin 2022 e tutje, mendoj se vlerat janë shumë më të larta në raport me vlerësimin e kaluar (të vitit 2019) dhe se ka diskrepancë të madhe në nivelin e vlerave sidomos në Zonën 201, 202 dhe 203.  Në takimin që kemi pasur me grupin vlerësues të Departamentit të Tatimit në Pronë kemi dhënë mendimet tona për vlerësim të cilat i kemi përcjellë edhe përmes postës elektronike. Propozimet tona nuk korrespodojnë me Raportin mbi Vlerësimin e Përgjithshëm për Prona Rezidenciale”, thuhet në shkresë.

Me shkresë të ngjashme, Ministrisë i ishte drejtuar edhe Komuna e Kaçanikut. Edhe kjo komunë e cilësonte vlerësimin si jo real, e të paarsyeshëm.

“Ngritja e çmimeve sipas vlerësimit të ri për mendimin tonë është e lartë dhe e paarsyeshme ngase fillon nga +4.8% deri 42.9% më e lartë për objekte rezidenciale (shtëpi familjare) dhe nga +38.10% deri në 80.00% më e lartë për apartment, e poashtu edhe çmimet për parcela për shtëpi familjare dhe apartment në 4 zona ka zbritje nga -16/675 deri në -20%, ndërsa zonat tjera ngritje nga 0% deri në 166/67% që është e njejtë edhe për parcelat për apartment dhe parcelat për objekte tjera rezidenciale”, thuhet në shkresën që Komuna e Kaçanikut i kishte dërguar MFPT’së, në nëntor të vitit 2023.

LDK’ja propozoi rezolutë kundër shtrenjtimit, pushteti ia rrëzoi

Lidhja Demokratike të Kosovës kishte dalë me një rezolutë pas rritjes së çmimit të tatimit në pronë, që erdhi pas rivlerësimit të pronave nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Përmes kësaj rezolute, LDK’ja kërkoi që Ministria e Financave të pezullojë rivvlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimit paraprak.

“Ministria e Financave të pezullojë rivvlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimit paraprak. Kjo është plotësisht e realizueshme dhe nuk ka asnjë ndikim te komunat sepse buxhetet e komunave janë të planifikuara me ngarkesat e vjetra tatimore të tatimit në pronë”, kishte thënë deputeti Avdullah Hoti, kur e kishte propozuar këtë rezolutë,

Pika e dytë parashihte që Ministria e Financave të sjellë në Kuvend Ligjin për Tatimin në Pronë.

“Ministria e Financave të sjellë në Kuvend Ligjin për Tatimin në Pronë, i cili duhet të përmbajë amandamentet që do të mundësojnë dy gjëra. E para të jep mundësi që të përshtasë ngarkesën tatimore në përputhje me situatën ekonomike dhe këtu mund të nxjerrim indikatorë konkret se kur mund të bëhen këto përshtatje dhe e dyta të lejojë mundësinë që të mund të ndryshohet pragu tatimor, ndoshta të ulet norma minimale”, kishte deklaruar Hoti.

Kërkesa e fundit ishte që Ministria e Financave në bashkëpunim me komunat, gjatë vitit 2023 fillinisht të bëjë rivlerësimin e pronave dhe zonimin e ri.

“Ministria e Financave në bashkëpunim me komunat, gjatë vitit 2023 fillinisht të bëjë rivlerësimin e pronave, e ndoshta të kalohet edhe te vlerësimi individual i pronave, e jo të bëhet vlerësimi për gjithë zonën, sepse ka lagje, ka zona të qyteteve, me një zonë ka banesa që janë ndërtu para 60 vjete dhe ka banesa që janë ndërtu para tri vjetëve. Vlera e tyre smund të jetë e njëjtë. Pra gjatë këtij viti të bëhet zonimi i ri dhe vlerësimi i ri”, kishte thënë deputeti i LDK’së.

Por, Kuvendi i Kosovës kishte dështuar ta miratojë këtë projekt-rezolutë.

Kundër kësaj rezolute kanë votuar 48 deputetë, prej 77 sa kishin marrë pjesë në procesin e votimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *