Raka thotë se Qeveria nuk u konsultua me ekspertët në lidhje me lirimin e masave
Mikrobiologu Lul Raka, ka thënë se nuk është konsultuar nga askush për lirimin e masave anti-Covid.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se është kundër lirimit të masave në këtë kohë dhe se një veprim i tillë në kohë fushate e pas shtrirjes së variantit britanik të virusi është i gabuar.
Raka ka shtuar se “lehtësimi politik i masave”, mundëson përhapjen e infeksionit në komunitet, duke kërcënuar shëndetin individual në Kosovë.
“Sot, në media e pashë një shkresë zyrtare të qeverisë, në të cilën kërkohet lirimi i masave kufizuese ‘në bazë të rekomandimeve të IKSHPK dhe Bordit Këshillëdhënës’. E shoh të arsyeshme të jap një sqarim se as unë, si kryesues i Bordit dhe asnjë anëtar i Bordit nuk është konsultuar për një propozim të tillë. Në kohën e shkeljes masive të masave parandaluese gjatë fushatës zgjedhore e parazgjedhore nga tërë spektri politik; shtirjes së variantit britanik të virusit, i cili është prezent në Kosovë që nga fundi i dhjetorit , çdo ’lehtësim politik i masave’ mundëson përhapjen e infeksionit në komunitet duke kërcënuar shëndetin publik e individual në Kosovë. Prandaj, unë jam kundër lirimit të masave në këtë kohë”, thuhet në postimin e tij.