Renovohet kulmi i një ndërtese të banimit kolektiv ku ndodhet edhe njësia rajonale e policisë së trafikut në Prizren
Drejtuesit e komunës së Prizrenit dhe ata të Drejtorisë Rajonale të Policisë, të enjten kanë vizituar njërën prej ndërtesave të banimit kolektiv ku ndodhet edhe Njësia Rajonale e Policisë së Trafikut, me rastin e përfundimit të punimeve për renovimin e kulmit të saj, nga ana e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor.
Me rastin e përfundimit të punimeve për renovimin e kulmit të objektit të banimit ku ndodhet edhe Njësia Rajonale e Policisë së Trafikut, i është bërë vizitë nga kryetari Mytaher Haskuka i shoqëruar nga drejtori i Urbanizmit, Beni Kizolli dhe drejtori i DRP-së, Faton Alija.
Këtë projekt për renovimin e kulmeve në dobi të qytetarëve i cili po realizohet nga Drejtoria e Urbanizmit e ka vlerësuar të rëndëSishëm, kryetari Haskuka.
Drejtori i Urbanizmit, Beni Kizolli, tha se në kuadër të përkushtimit tonë për të përmirësuar ambientet tek banimet kolektive kemi intervenuar edhe në renovimin e kulmit të këtij objekti me një kosto prej 15 mijë eurove, ndërsa shtoi se, këtë vit do të ketë intervenime të ngjashme edhe në 12 objekte tjera të banimit kolektiv në qytet, njoftoi ai.
Renovimin e kulmit për objektin ku është i vendosur edhe një sektor i rëndësishëm i Policisë në Prizren, e vlerësoi të rëndësishëm drejtori i DRP, Faton Alija, i cili tha se këto dy institucione kanë bashkëpunim tejet të mirë, dhe se një gjë e tillë pritet të vazhdojë edhe me projekte të tjera të rëndësishme për të ofruar më shumë siguri për qytetarët, theksoi ai.
Në fund, drejtori i Urbanizmit Beni Kizolli, tha se për këtë projekt ka patur interesim të jashtëzakonshëm nga qytetarët që jetojnë në objekte të banimit kolektiv, dhe me mundësitë tona që disponojmë si komunë, këtë vit do të intervenojmë edhe në 12 objekte të këtilla.
Ndryshe, projekti për renovimin e kulmeve të këtyre objekteve të banimit kolektiv ka filluar në vitin 2018-të, i cili parasheh që në total të renovohen kulmet e 34 objekteve./Tv Prizreni